Ku i kemi elitat?

Elsa Ballauri 

E vë në dyshim ekzistencën e elitave tek ne. Para pak javësh, në bisedë me disa miq duke u përpjekur të mbroj këtë opinion, ata kishin të tjera mendime dhe ideja e elitës pak nga pak në fund të bisedës, u transformua në idenë e vjetër që funksiononte në kohën e komunizmit tonë: kush është me shkollë të lartë, është pjesë e elitës (!).  Ky përfundim nuk është i çuditshëm për shumë shqiptarë, sepse vetë sistemi i vlerave që pas Luftës së Dytë Botërore ka pësuar një transformim të veçantë e unikal: isha e vogël kur kam dëgjuar të thuhej nën zë anekdota (e vërtetë) e një profesori që kishte mbaruar universitetin në Vjenë dhe që halli e kishte detyruar të jepte mësim në kursin kundër analfabetizmit, që ishte mbushur me partizanë trima. Profesori ngre në mësim një nga nxënësit e tij analfabetë dhe e pyet për malet e Shqipërisë. Dhe nxënësi përgjigjet: “Shqipëria nuk ka pasur male, por pas çlirimit, partia jonë i krijoi ato”. Natyrisht që profesori nuk mund ta kundërshtonte thellësisht nxënësin të vet që i rrinte përpara me një revole në brez, sepse i rrezikohej jeta, ai me ironi i tha se ka pasur nja dy kodra të vogla, që gradualisht u bënë male……
E kështu, sistemi i vlerave ndërroi sipas ideologjisë së re, e cila padrejtësisht mohoi gjithçka që ishte bërë më parë, madje më shumë se mohim, e shkatërroi atë dhe e denigroi deri në urrejtje.
Pavarësisht nga kjo, të rinjtë e shkolluar më vonë nëpër Europë filluan të krijonin elitat e reja në shoqërinë shqiptare, atë kulturore, ushtarake, shkencore, e megjithatë përcaktimit klasik të elitave iu mungonte një gjë e vyer dhe esenciale: këto elita nuk ishin të lira, ato funksiononin brenda burgut të tyre rrethuar me tela me gjemba, si të tilla mbetën gjysmake…
Kuptimi i parë i emrit vjen nga latinishtja: eligere- të zgjedhësh, pra në një mënyrë tjetër elita është pjesa e zgjedhur e një shoqërie, një grup relativisht i vogël njerëzish, që dominon në një shoqëri të madhe, që ka statusin privilegjues të krijimit të një modeli, që në rastin më të mirë ky model të jetë pozitiv dhe i ndjekur nga të tjerët. 
Sipas Michael Parenti-t, një nga filozofët e sotëm që ka studiuar elitizmin, të gjitha grupimet shoqërore kanë brenda tyre elitat përkatëse të përbëra nga individë, që marrin pjesë aktive e janë promotor i zhvillimit politik e social të shoqërive. Pra, përveçse faktit që janë, elitat edhe veprojnë.
Këtu ndoshta është edhe dyshimi im në diskutimin me miqtë e mi. Për të mos u bërë thellësisht nihiliste, mund të pranoj faktin se deri diku ka pasur dhe madje ende ka një jetë elitash në Shqipëri, por ato janë shumë të zbehta, të pazonjat të lëvizin energjikisht motorin e madh dhe të rëndë të shoqërisë dhe shtetit në mënyrë progresive.  
Vetvetiu, këto që kemi dhe disponojmë si elita nuk e kryejnë dot misionin e tyre, për disa arsye:
 Veprimi
Së pari, sikurse thotë Parenti, elitat duhet të veprojnë dhe veprimi këtu nuk është thjesht mekanik apo i çfarëdollojshëm: veprimi është aksioni pozitiv që ato ndërmarrin në dobi të grupeve të caktuara, në dobi të shoqërisë dhe në ndihmë të zhvillimit të disa parimeve të rëndësishme të demokracisë, si shteti i së drejtës, humanizmi, paqja, toleranca dhe mirëkuptimi, të drejtat e individit, etj. Këto janë parime për të cilat luftohet dhe punohet gjatë, me dekada, madje edhe me shekuj dhe elitat padyshim janë protagonistë të këtyre parimeve. Mungesa e elitave kësisoj, zgjat kohën e një vendi për të kapur zhvillimet e duhura. 
Elitat shqiptare sidomos pas LDB nuk kanë mundur të kryejnë funksionin e tyre të plotë. Shqipëria kaloi në një regjim të egër politik, që i urrente ato elita që ishin krijuar prej disa gjeneratash si pasojë e racionalitetit dhe natyrshmërisë sociopolitike dhe psikologjike: lufta e klasave u shpall si një gijotinë moderne. Elitat e dala pas kasaphanës që shkaktoi urrejtja revolucionare, lindën me handikapin e frikës dhe mungesës së lirisë. Duke jetuar gjatë në atë gjendje, ato krijuan modelin i cili u trashëgua edhe në periudhën e pas vitit 1990. 
Kjo është periudha kur kufijtë e lirisë u zgjeruan, por metoda mbeti e njëjtë: e pasuksesshme në kombinimin e rolit të lidership-it me arritjen e suksesit. Të parën e shohim: roli i udhëheqësit është shumë i rëndësishëm, ai i ka bërë elitat shqiptare të jenë protagoniste, por për fat të keq në formën e tyre të keqe: duke abuzuar. 
E dyta, të arrish suksesin, gjë që iu kërkohet elitave, është pjesa e pakuptueshme për shqiptarët: suksesi do punë, do sakrificë, do pasion dhe dashuri. E parealizueshme kjo në një vend ku dashuria dhe humanizmi janë shndërruar në mëkat.
Pra, elitat duhet të veprojnë dhe kjo nuk ndodh. Individët që i përfaqësojnë ato nuk mund të dalin dot mbi sipërfaqen e turmës, e të përgjithshmes, e mediokres: parimi i interesit të ngushtë personal errëson çdo lloj vizioni për perspektivën. Qëllimi i madh dhe i vetëm i fitimit material e ka përmbysur balancën e modelit të liderit funksional. Vlerat e vërteta janë trembur, disave nuk iu shfaqen kurrë, të tjerëve iu përpëliten në gjoks, por vdesin shpejt, të tjerëve që kanë më shumë guxim dhe parime qytetare iu zhvlerësohen kur dalin në publik nga sarkazma e shumicës. Në situatë të tillë elitat janë gjysmake, atyre iu mungon guximi, një tjetër element i domosdoshëm për suksesin e tyre.   
Vlerësimi
Së dyti, elitat nuk vlerësohen. Nuk bëhet asgjë nga askush. Nuk ka strategji për t’i mbajtur, për t’i gjallëruar, për t’i ruajtur. Vendet me përparim të madh janë ato që kanë ecur nëpërmjet punës, vlerave dhe kontributit të elitave, kulturore, shkencore, akademike, ushtarake, gjuhësore. 
Pyeta për një mikun tim, i cili vite më parë ka qenë drejtues i një institucioni shumë të rëndësishëm… mora vesh se ai ka një pension të pamjaftueshëm, madje shkon diku për të ndihmuar një të afërmin e tij në një dyqan ushqimesh… Shumë e dhimbshme për të dhe shumë e mjerë për ne. Njerëzit me vlera i hedhim tutje, nuk ka asnjë politikë për të ruajtur dhe për t’u kujdesur për ata që dinë, nuk ka asnjë politikë që mund t’i shfrytëzojë disa mendje të mençura të këtij vendi. 
E njëjta gjë po ndodh edhe me daljen në pension në mënyrë të menjëhershme të disa pedagogëve të vjetër dhe me eksperiencë në universitetin publik. Më shumë se e tyrja, fatkeqësia është e vetë shkollës së lartë, e cila do të vazhdojë kësisoj të përpëlitet në kërkimin e modeleve të vlefshme të elitës akademike.
Për dreq më erdhi ndër mend një tjetër anekdotë (e vërtetë)… e atij që mbaroi fakultetin duke paguar ryshfet e pastaj tha me kënaqësi: “Juridiku ishte shumë i lehtë… tani do t’i hyj gjimnazit”. Për fat të keq kjo nuk është paradoksale, është një e vërtetë e jetuar e Shqipërisë së re që nëse do të ulemi të flasim për elita dhe me gjuhë elitash, duhet të na vijë turp për pranimin e këtij realiteti. Ata njerëz që s’kanë nisur gjimnazin pretendojnë të kryejnë rolin e elitës së zgjedhur dhe t’i bëjnë të tjerët t’i admirojnë (!)… 
Klasat shoqërore
Së treti, kur flasim për elita, duhet të mos harrojmë se ato shkojnë dhe ekzistojnë në variantin e tyre më të mirë së bashku me klasat shoqërore. Shqipëria nuk i ka krijuar shtresat e shoqërisë, të lartën, të mesmen dhe të ulëtën. Për t’u kthyer në fillim të shkrimit, pas Luftës së DB u krye masakra më e madhe që iu bë Shqipërisë nga shqiptarët: rrënimi i shtresave shoqërore, eliminimi i individëve që kishin përfituar nga koha, nga puna, energjia dhe dituria a brezave më parë dhe që trashëguan pozicionet e tyre klasore, aq të rëndësishme për krijimin e strukturave të një shteti të fuqishëm. Shqiptarët me ideologjinë komuniste i shkuan deri në fund shkatërrimit: jo vetëm duke vrarë dhe dënuar ata që nuk e donin ideologjinë komuniste, por duke vepruar me një saktësi admiruese për t’i shkuar deri në fund shkatërrimit: nga brezi në brez. Si rrjedhim, ata shkatërruan dhe trodhën edhe elitat: nga brezi në brez. 
Duke mos gjetur një terren të përshtatshëm për t’u krijuar brenda klasave shoqërore, vetvetiu elitat mbeten pa krahë dhe pa dobi.
Krijimi i klasave dhe sidomos asaj të mesme, e cila duhet të jetë promotori i një shteti dhe shoqërie me vizione qytetare dhe europiane, do t’u japë jetë elitave. 
Nga ana tjetër, krijimi i shtresave shoqërore do të marrë shumë kohë në Shqipëri, ndofta më shumë se sa u desh për t’i shkatërruar ato, prandaj në këto kushte, ndërgjegjësimi i elitave do ta ndihmojë procesin e krijimit të klasave, nëse individët që përfaqësojnë elitat do ta kuptojnë se ËSHTË në dorë të tyre të ndryshojnë këtë botë shqiptare, mjafton që këtë botë ta duash, ta respektosh dhe të ëndërrosh me shpirt suksesin e saj.  

Histori Spiunazhi, njeriu pa fytyrë

Drejtoi një rrjet prej 4000 spiunësh, shumë prej të cilëve vepronin në thellësi të institucioneve të Gjermanisë Perëndimore

 

Wolf ishte njeriu të cilin zyrtarët perëndimorë të shërbimeve të fshehta e kishin frikë dhe e admironin njëkohësisht. Ai drejtoi një rrjet prej 4000 spiunësh, shumë prej të cilëve vepronin në thellësi të institucioneve të Gjermanisë Perëndimore. Zbulimi i një prej “urithëve” të tij, Gunter Guillaume, solli rënien e pashmangshme të Kancelarit Willy Brandt. I gjatë, thirrej gjatë asaj kohe si “njeriu pa fytyrë”, për shkak se për shumë vite me radhë nuk ekzistonte asnjë fotografi e tij.

Besohet që ai të ketë qenë frymëzimi për kryespiunin me pseudonimin “Karla” në librin e suksesshëm të John Le Carre, “Rrobaqepës, ushtar, spiun”. I lindur në Gjermani, në vitin 1923, Wolf pati një fëmijëri të hershme relativisht të qetë. I ati, Friedrich Wolf ishte një shkrimtar i njohur dhe njëkohësisht doktor. Ai njihej si një hebre me bindje komuniste. Edhe e ëma ishte një komuniste e vendosur dhe kur Hitleri erdhi në pushtet në vitet tridhjetë, familja e tij u arratis, duke u vendosur në Moskë.

Wolfi i ri u përshtat menjëherë me atdheun e tij të dytë dhe ra menjëherë në sy të zyrtarëve të Partisë Komuniste, ndërkohë që ishte ende në shkollë. Kur përfundoi lufta, ai u rikthye në Gjermani, ku punoi për radio “Berlinin” dhe mbuloi si gazetar seancat e Gjyqit të famshëm të Nurembergut.

Shije luksi

Kjo përvojë duket se ka pasur një efekt shumë të gjatë mbi Wolfin. Në një intervistë dhënë për televizionin BBC, ai zbuloi se urrejtja ndaj fashizmit ka qenë një prej forcave më të mëdha shtytëse në jetën e tij, e cila e bindi atë se do të duhej patjetër të mbronte atdheun e tij nga çdo formë përsëritje e regjimit nazist. Në fillim të viteve pesëdhjetë, ai u zgjodh për të drejtuar departamentin e sapokrijuar me jashtë të shërbimit të fshehtë të Stasit – Policia e Fshehtë dhe e tmerrshme të Gjermanisë Lindore. Ata që e kanë takuar në atë kohë thonë se Wolf rrezatonte sharm gjithandej dhe ai ishte antiteza e plotë e imazhit të një aparatçiku komunist. Ai i kuptonte fare mirë joshjet e Perëndimit dhe kishte një shije të hollë për lukset në jetë, si edhe për gratë e bukura. Wolf kujdesej jashtëzakonisht shumë për stafin e tij, duke fituar kështu besnikërinë e tyre të palëkundur. Por ngrohtësinë që rrezatonte, Wolf e përdori jo pak herë edhe për të shfrytëzuar dhe manipuluar të tjerët.

Agjentët e fjetur

Wolf përzgjodhi një qasje afatgjatë për detyrën që kishte marrë përsipër, duke futur spiunë në Gjermaninë Perëndimore, mes turmave të gjermano-lindorëve që vendosën të largoheshin përpara se të vendosej Perdja e Hekurt. Ndonjëherë, ai priti edhe me vite, madje, që agjentët e tij të fjetur të bënin rrugë në drejtim të posteve të nivelit të lartë, me qëllim që ata të vendoseshin në një pozitë ku të fillonin e ta furnizonin me sekrete. Një prej këtyre agjentëve ishte Gunter Guillame, i cili u vendos në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1956. Ai arriti me shumë mund të ngjitet në hierarkinë e Partisë Socialdemokrate, duke u bërë një prej këshilltarëve më të afërt të Kancelarit të atëhershëm, Willy Brandt, duke arritur kështu të fuste duart në sekrete shumë të rëndësishëm të NATO-s.

Në vitin 1974, Guillame u zbulua nga zyrtarë të Shërbimit të Fshehtë të Gjermanisë Perëndimore dhe skandali që pasoi, çoi në dorëheqjen e Kancelarit Brandt. Më vonë, Wolf ka thënë se ai nuk kishte për qëllim rrëzimin e Brandtit dhe se kjo çështje kishte qenë një prej gabimeve më të mëdhenj të STASI-t. Guillame u dënua me 13 vjet burg dhe në vitin 1981 u lirua në një shkëmbim me spiunë perëndimorë që ishin kapur në Lindje.

Reputacion magnetik

Por, Wolf rekrutoi gjithashtu edhe gjermano-perëndimorë – agjentët e tij i joshnin ata shpesh përmes seksit ose parave. Në kujtimet e tij, ai është mburrur se, nëse do të hynte dhe zinte vend në historinë e spiunazhit, kjo do të ndodhte, sepse kishte përsosur përdorimin e seksit në spiunim. Mes triumfeve të tij më të mëdhenj ka qenë rekrutimi i Hans Joachim Tiedge, një gjermano-perëndimor, i cili ishte ngarkuar të kthente agjentët gjermano-lindorë në agjentë të dyfishtë. Tiedge ishte një pijedashës dhe ai dezertoi kur borxhet e tij u rritën aq shumë, saqë nuk mund të shihte asnjë rrugëdalje tjetër. Edhe zëvendësi i tij u bashkua gjithashtu me Wolf dhe punoi për të si “urith”, deri në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989. Autori Leslie Colitt, i cili ka shkruar gjerësisht për Markus Wolff beson se një pjesë e madhe të sukseseve të tij kanë ardhur prej fatit, por gjithashtu reputacioni i tij ka shërbyer si magnet për dezertorët e shërbimeve të huaj. Një pjesë e misterit Wolf kishte të bënte me faktin se për 20 vjet, askush në perëndim nuk e njihte identitetin e tij. Por anonimati i kreut të shërbimit të fshehtë gjermano-lindor mori fund pas një vizite të tij në Stokholm në vitin 1978.

Autoritetet suedeze ishin bërë gjithnjë e më dyshuese për gjermano-lindorin e pashëm dhe gruan e tij tërheqëse. Një agjent iu qep pas, e filmoi, dhe kështu maska e tij u çor. Kur ra Muri i Berlinit, Wolf shkoi në Moskë, por atje iu refuzua strehimi dhe kështu u kthye në Gjermani. Shumë prej ish-kolegëve thuhet se u tronditën thellë nga vendimi i heroit të tyre për t’u larguar. Më vonë, ai u dënua për tradhti, por verdikti u përmbys në apel. Gjykatësit argumentuan se ai kishte punuar për ish-shtetin e pavarur gjermano lindor dhe kështu nuk mund të gjykohej për tradhti në një shtet tjetër. Vdekja e tij, në përvjetorin e 17-të të rënies së Murit të Berlinit u pa nga shumë vetë si fundi i një epoke.

Markus Wolf u nda nga jeta, duke marrë me vete në varr edhe një pjesë të mirë të sekreteve të Luftës së Ftohtë. Shumë gjermanë të moshuar nuk mundën ta falin, për faktin që vendosi një agjent në krahun e Kancelarit të Gjermanisë Perëndimore. Kjo gjë solli rrëzimin e një prej aktorëve kyç në përpjekjet për pajtimin mes Gjermanisë Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore. Asgjë më mirë se kjo nuk mund të ilustrojë më mirë dëmin e veprimtarisë së Wolf: triumfi i tij më i madh i spiunazhit dëmtoi interesat e një shteti që ai kishte detyrë të mbronte.

Kuriozitete/ Mania, radhë për të blerë iPhone 4

Mijëra njerëz në Amerikë, Japoni, Francë, Angli dhe Gjermani kanë pritur radhën për plot gjashtë orë me të vetmin qëllim, hapjen e dyqane të Aple, për të blerë iPhone 4. Duket e pabesueshme, por mania që ata kanë për një nga pajisjet më të pëlqyera në botë, i ka detyruar të presin radhën për disa orë, pa e vrarë mendjen për temperaturat. Pritet që shitjet të arrijnë në fillim të javës rekord, duke menduar se kjo aparaturë, ashtu siç edhe është reklamuar, do të sjellë risi pas disa modifikimesh që bëri së fundmi nga kompania Aple. Por, kujdes, ata që janë mëngjarashë, ka shumë gjasa që të mos e përdorin atë lehtësisht, pasi sistemi pranon vetëm prekjet me dorën e djathtë.

Gurët lundrues të Luginës së Vdekjes

Në Luginën e Vdekjes edhe gurët kanë jetë. Nëse nuk e besoni, shikoni fotot. Janë pikërisht gurët lundrues ose “sailing stones”,i cili është një fenomen që mund të shihet qartë në këtë vend, pikërisht në Racetrack Playa. Sipas disa fotografimeve që janë bërë, duket qartë se gurët zhvendosen vetë, pa ndërhyrjen e njeriut ose të kafshëve, madje duke lënë gjurmë të dukshme në tokë. Fenomeni është studiuar që nga gjysma e shekullit të njëzetë, por askush nuk ka parë gurët duke lëvizur, prandaj e gjithë kjo mbetet një mister që duhet parë ende me kujdes. Shkencëtarët janë ende në fazën e supozimeve rreth zhvendosjes së gurëve, disa shumë të rëndë që lëvizin vetvetiu. Nga hamendësimet thuhet se shkak mund të jetë era, ndërsa të tjerë besojnë se vjen nga akulli…!

Shpikja, gati mushkëria “in vitro”

Pas një pune të gjatë në laborator, një ekip shkencëtarësh të Universitetit të Yale-s në Amerikë, kanë konfirmuar se mushkëria in vitro ka funksionuar tek kavjet. Lajmi është mjaft i rëndësishëm pasi pritet që aplikimi të njerëzit të sjellë arritje të mëdha në transplantet humane të mushkërive, pasi donatorë pothuajse nuk ka. Testi i parë ka kaluar me sukses gjatë kultivimit të disa qelizave të mushkërive të njeriut dhe shkencëtarët janë gati të bëjnë publike detajet e implantimit. Mushkëria e parë në epruvetë ka funksionuar dhe siç shprehen shkencëtarët, ajo ka funksionuar rregullisht në procesin e shkëmbimit të oksigjenit me anhidridin karbonik.

Shimpanzetë vrasin për territor

Pas dhjetë vitesh luftë, një grup primatësh në një pyll të Ugandës kanë arritur të pushtojnë territorin e rivalëve të tyre. Sipas një studimi që është bërë me këto shimpanze, është e para herë që ata vërejnë se kafshët kanë të njëjtën natyrë të të qenit të bashkuar, njëlloj si njerëzit. Për të fituar territorin dy grupet e shimpanzeve janë përleshur disa deri në përgjakje, vetëm e vetëm për të fituar territorin e rrëmbyer vite më parë. Në fakt, duket si një histori mes njerëzish, por në fakt protagonistë kanë qenë shimpanzetë, që duket se edhe këtë herë kanë treguar se ato realisht kanë shumë të përbashkëta me njerëzit.

Jeta përtej rrjetit

Trashëgimia është një fjalëkalim

“E-mail”-e, “blog”-e, aksese të rrjeteve të ndryshme, “Facebook”, “Myspace”, “YouTube”: dy vajza suedeze kanë krijuar një sit, i cili ofron zgjidhje se ç’duhet bërë në rast se vidhet nga të tjerët fjalëkalimi. Ja çfarë këshillojnë ato për të mbrojtur mesazhet private

Interneti; Të ngecur në rrjetë

Kriptoracizëm

Edmond Tupja 

Po vazhdojnë të luhen, për kënaqësinë e shumë tifozëve ose për zhgënjimin e shumë të tjerëve, ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në Afrikën e Jugut. Është  hera e parë që një veprimtari apo ngjarje (“event”, siç do të shpreheshin snobordhacët e sotëm të mediave shqiptare) sportive e përmasave planetare ka për teatër kontinentin e quajtur të “zi” historikisht aq të shfrytëzuar e të diskriminuar në shekuj. Kjo tregon se racizmi po merr një goditje të fortë aq më tepër që tani po kërkohet me ngulm që Afrika të ketë përfaqësuesin e saj të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe në Shqipëri, lufta kundër racizmit ka gjetur një jehonë pozitive; ndër të tjera, le të theksojmë praninë e spoteve publicitare kundër racizmit, madje disa minuta para fillimit të ndeshjeve në fjalë në TVSH, ku parulla themelore është “Thuaji jo racizmit!”.
Por (ka gjithmonë një “por” që vjen e nxjerr ndonjë problem), për fat të keq, pikërisht në gojën e ndonjë komentatori sportiv shfaqen nganjëherë fjalë apo mënyra të thëni që shprehin, sigurisht në mënyrë të pavetëdijshme, racizëm ose më saktë, kriptoracizëm. Po shpegohem konkretisht:
Gjatë transmetimit, para disa ditësh, të ndeshjes Kamerun-Holandë, më bëri përshtypje mënyra se si komentatori, krejt natyrshëm, vetëm tri-katër herë i quajti lojtarët e ekipit të Kamerunit “kamerunasit”, tërë kohën i thërriste ata “afrikanët”, kurse lojtarët e ekipit të Hollandës vazhdimisht i quante “holandezët” ose “tulipanët” (tipar i tyre kombëtar) dhe asnjëherë nuk i quajti “europianët”. Kjo mënyrë sistematike të vepruari në emërtimin e lojtarëve më kujtoi se i njëjti komentator në transmetime ndeshjesh të tjera nuk i kishte thirrur kurrë lojtarët e ekipeve europiane “europianët”, por i kishte quajtur me emrat e kombësive të tyre, duke bërë edhe variacione si spanjollët/iberikët, portugezët/luzitanët, danezët/vikingët (tipare kombëtare me origjinë gjeografike për të parët e të dytët dhe historike për të tretët). Më erdhi ndër mend gjithashtu se, gjatë transmetimit të ndeshjeve të disa ekipeve të Amerikës së Jugut, herë pas here i kishte thirrur lojtarët e tyre me emrin “amerikanojugorët” ose “amerikanolatinët”, ndërsa pjesën tjetër të kohës, i kishte quajtur, sipas kombësisë së tyre, “argjentinasit”, “kilianët” apo “uruguajanët”, për shembull. Diskriminimi është i dukshëm si drita e diellit kur në qiell nuk ka asnjë re. Në gojën e komentatorit tonë, pra, edhe në mendjen e tij (por në mënyrë të pavetëdijshme, të paktën shpresoj të jetë kështu), lojtarët europianë nuk futen të gjithë në të njëjtin thes, ata të të njëjtit ekip thirren me emrin e kombësisë së tyre, sepse kanë dinjitetin e vet kombëtar; lojtarët nga vendet e Amerikës së Jugut herë futen në të njëjtin thes, herë nuk futen atje, pra, paskan pjesërisht, gjithnjë sipas logjikës së komentatorit tonë, njëfarë dinjiteti kombëtar (me shumë gjasë, sepse në damarët e tyre rridhka pak gjak europian falë pushtimit të vendeve të tyre nga kolonizatorët spanjollë, pra, europianë); kurse lojtarët nga vendet e Afrikës futen gati sistematikisht në të njëjtin thes duke u quajtur thjesht “afrikanë”, ata nuk na paskan, pra, dinjitet kombëtar, sepse janë thjesht të “zinj”! Ja ku dolëm tek racizmi që fle në nëvetëdijen e komentatorit tonë. Për këtë arsye e padis publikisht për kriptoracizëm, d.m.th. për racizëm të fshehtë, por, që, po e përsëris, buron pa vetëdije nga goja e tij. Rrjedhimisht, e këshilloj të pastrohet nga impulse të tilla kriptoraciste ose, në pamundësi, t’i frenojë ato, të paktën, kur të komentojë ndjeshjet e ardhshme të Kampionatit Botëror të Futbollit që po zhvillohet në Afrikën e Jugut, d.m.th. në kontinentin ku, miliona vjet të shkuara, u shfaq për herë të parë njeriu, homo spaiens-i, pra, nga e ka prejardhjen edhe komentatori ynë, edhe unë, dashamirësi i tij, edhe ti, lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës.
Së fundi, më duket me vend të theksoj shkurtimisht por me forcë se një qëndrim i tillë në ekranin e TVSH-së, kanal televiziv publik, i cili përfaqëson shtetin dhe shoqërinë shqiptare, bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku çdo shfaqje racizmi dënohet shprehimisht, dhe nuk është aspak i denjë për demokracinë e re, ende të brishtë, shqiptare.

Një letër për Petro Markon!

Nga Dr. Përparim KABO

Tek e pashë shoqen time të rinisë së hershme, Arianita Petro Markon, të bënte një thirrje njerëzore: “Shpëtoni familjen e Petro Markos”, u ndjeva i turpëruar! Më pushtoi një pafuqi fajësie sepse në një shoqëri demokratike, kur jeta njerëzore rrezikohet për cilindo, atëherë shenjat janë që punët nuk venë mbarë. Nuk e di se si është Jamarbëri (Madu – ky është emri i tij i rinisë, kështu e njohëm ne në fakultet. Herën e fundit e kam takuar kur ndodhej në spital para disa viteve. Mendja e tij është një çudi më vete, kreative e mbjellur me ide proteste dhe e ngjizur me kurajo për t’i çjerrë maskën hipokrizisë dhe gënjeshtrës! Madu është një ish-i burgosur politik i sistemit komunist, disi i veçantë, që nuk kërkoi as poste ministrore, as ofiqe mediatike as shpërblime! Madu është i biri Petros, ndaj kishte kërkuar vetëm LIRINË! Ndoshta vuan aktualisht pafuqinë për ta bërë atë realitet, sepse ndodh që kjo gjendje është rrjedhojë e kohës kur jetojmë dhe rrethanave që jo gjithnjë varen nga ne! 
Kur Petro Plaku e mbyllte intervistën me Petron e Ri, ai dukej si Plaku (i romanit “Plaku dhe deti”) që kishte nxjerrë nga deti peshkun e madh, por të kafshuar nga peshkaqenët. Por, se ëndrra nuk kishte humbur, nuk ishte fikur dhe nuk kishte bërë hesape me pseudovlerat e “klientelizmit të penës”, më i keqi dhe më hipokriti në pazarin e kohërave! Të jesh vetja, dhe si krijues, dhe si njeri, kjo është e rrallë, si nga vlerë-virtyti që përcjell, ashtu dhe nga mundësia për ta takuar. Shumë shkrimtarë apo artistë kanë një çarje mes tyre dhe veprës. Personazhet e tyre janë një “magji” që të inspirojnë, ndërsa ata vetë janë një shembull që nuk duhet marrë! Tek Petro Marko, jeta dhe vepra janë një. Ai shkruan për ato që ka përjetuar, prekur, vuajtur dhe eksploruar. Rrëfenja e tij nuk është arti që virtualisht krijon personazhe dhe ngjarje të imagjinuara, formë kjo komunikimi që të provokon dhe të josh! Tek ai ndodh, që pjesa artistike e jetësores, sillet e freskët dhe xhenuine, shpesh pa u qesëndisur se mund të mungojnë ojnat estetike! Pa dyshim, kushti më i mirë për lumturinë tonë është t’i mjaftosh vetvetes, të jesh në çdo gjë vetvetja, të mundësh të thuash: “Omnia mea mecum porto”(Gjith ç’kam e bart me vete./Artur Shopenhauer, vepra “Këshilla për jetën”, botimi shqip, faqe 110. 
Ndaj “Intervistën me veten – RETË DHE GURRËT) ky titull, sa paganë, aq edhe hiperdimensional, Petro PLAKiRIU e mbyllte me një arsyetim, sa lakonik, aq edhe nën peshën e pikëpyetjeve: 
“Nëse me të vërtetë më në fund do të triumfojë demokracia e ëndërruar, gjeneratat që vijnë, do të kenë mundësi të analizojnë këtë kalvarin tonë të çuditshëm 45-vjeçar, që edhe duke u shtypur, edhe duke vuajtur, duke na u mohuar frymëmarrja, të ndarë nga bota, ne prapë kemi punuar, ndërtuesit ndërtonin, bujqit punonin, këngëtarët këndonin, piktorët pikturonin, jeta vazhdonte, por nën diktaturë. Ata që do të jetojnë, që janë në moshë të re, do të kenë fatin të punojnë e të jetojnë lirisht, si njerëz të LIRË.”(P.Marko, “Intervistë me vetveten”, faqe 551) Ja pra, fjalët e fundit nga ai gjoks i lodhur ishin: “Njerëz të LIRË”. 
Tash, pas 20 viteve, është e drejtë të pyesim a jemi rikrijuar si njerëz të lirisë, a e kemi kuptuar se ç’është liria, a dimë ne të sillemi me të, dhe tek e fundit, a i njohim ne dishepujt e saj?! Një i tillë është Petro Marko, sepse kurrë nuk e tradhtoi muzën e tij të të qenit i lirë, të të qenit vetja, të të qenit i frymëzuar prej saj! 
Vendosa edhe unë të kontribuoj për familjen e tij, në një mënyrë të veçantë, duke i shkruar një letër Petros, dhe duke provuar të bisedoj me të. Ndoshta kështu do të mund të zgjohen në shoqërinë tonë kujtesat e fjetura, ato të nemitura që lëngojnë fajësitë e patreguara, apo më në skaj akoma, ato memuare të shtrembëruara, që nuk i zë gjumi se janë të shqetësuara! Monologu i atyre njerëzve që posedojnë një arkivim të tillë, është se çfarë do të ndodhi nesër më veprën e tyre, kur ata të mos jenë! Kjo dilemë nuk ka qenë pjesë e shqetësimit të Petro Markos! Ai e donte njeriun dhe botën, në emër të ndryshimit, dhe jo nisur nga shpirtngushtësia egoiste, sipas binomit “unë dhe bota” ose “bota dhe unë! 
Ja, i shtrenjtë Petro dhërmioti, unë, një djalë nga Borshi i Lano Borshit, mikut tënd të stuhisë, me këtë letër në eter po hap këtë kuvendim me ty! Do duhet të drejtoj disa pyetje sepse shumë çështje që kemi përballë sot, nuk u gjejmë përgjigjen, ose për to ka përgjigje pa hesap sipas stinës politike, por zgjidhje ama nuk ka! Po e filloj me një epitaf burrërie. Ty Petro të pëlqente ai arsyetimi i Mama Milles: “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim zemërbardhë, e po të shkosh andej natën, i dëgjon tek dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet, janë bërë re. Vijnë, qajnë dhe ikin”. Ja pra Petro, duhet që jetën ta jetojmë në shërbim të atdheut dhe kështu vëmë gurë në themelet e tij. Tani, pas 20 viteve që diktatura nuk është më, i dashur Petro, shumë pak burra të tillë po shohim. Atdheu për një “takëm” është kthyer treg dhe para, pasuri dhe zhvatje, mejhane dhe kodoshllëk! Ata madje, nuk shkojnë të bisedojnë me gurët e vjetër të historisë, nuk kanë kohë sepse më shumë janë shndërruar në re. Paratë i kanë shpënë jashtë vendit, atje kanë shtëpitë, orgjitë, frymëzimet, alibitë, dhe ortakëritë që herë pas here u japin nga një dekoratë që ta vënë në gjoksin e tyre, të praruar nga shkëlqimi. 
Miku Petro, pylli me trima zemërbardhë po rrallohet, ndërsa shpura e drizave të frikacakëve zemërligj është shtuar si një vegjetacion i egër dhe me një aromë mbytëse! Do të dëshiroja që me lejen tuaj, vargjet që ti shkrove vite më parë, t’i lexoj duke shtuar edhe diçka nga kjo koha jonë e demokracisë. Nuk është art, por përgjegjësi! 
Ti shkrove për kalvarin 
tënd kështu: 
Ditën që Linda unë, 
Planeti ish në furtunë! 

Ditën që rrojta unë, 
Planeti ish në furtunë! 

Ditën që vdiqa unë, 
Planetin e lashë në furtunë! 
Tani unë po shtoj! 
Ditën që të kujtoj TY, 
Planeti mbetet në furtunë! 

I dashur Petro njerëzit e tu të dashur këtu në Tiranë, ende po paguajnë për kaluarin, dhe iu është turrur ajo patologjia e keqe, që ti provove shpesh në jetën tënde, “varfëria”! 
Vetëm se, ka një ndryshim prej asaj kohe. Atëherë, edhe vendi ishte i varfër! Tani, pas 20 vitesh që ti ike nga kjo botë, vendi nuk është i varfër, por më keq akoma, është i keqpërdorur. Ji i “lumtur” që nuk sheh ca që janë majmur e dhjamur në trup dhe në mendje. 
Pa le t’i dëgjosh kur flasin e shesin dëngla, rrëfejnë histori të paqena dhe mburren si pa të keq se historia dhe ata janë një, janë binjak, madje se pa ta koha nuk “ka kuptim”, hapësira “ngushtohet”, ndërsa lëvizja “humbet drejtimin”! Ndaj, bija jote Arianita, lëshoi një thirrje humane: “Shpëtojeni familjen e Petro Markos”!!! 
Rendën pas kësaj thirrjeje njerëz të parasë dhe fjalës, gazetarë dhe filantrop jo fort të besueshëm! Gazetat, disa ditë u kujtuan për familjen e gazetarit rebel, njeriun që gjithë jetën e ngjeu penën tek protesta, tek dashuria dhe tek humanizmi! Që të bënin lajm, të krijonin skup, dhe pse jo të molepsnin retorik shtypi, ai hodhi ca penelata kujtese! Me lejen tënde, o modesti Petro, po them edhe unë ca gjëra, e po sjell në dritë të vëmendjes ca ngjarje për Ty! 
Ej njerëz, që ecni në udhën tuaj!! Ju qytetarët dhe fshatarët shqiptar, që fati nuk ju ka buzëqeshur dhe vështirësitë e përditshme po ju shndërrohen në një makth, ju lutem miqësisht të vini vesh e të dëgjoni se kush ishte ky Petro Marko!
Në mes të viteve 30-të të shekullit të kaluar, kur kryeministri i asaj kohe, Mehdi Frashëri krijoi kushte më të mira për “lirinë e shtypit”.”Pena e Tajar Zavalanit dhe e Branko Merxhanit, ajo e Vangjel Koçës dhe e Ismet Totos, ajo e Nebil Çikës dhe e Gjergj Bubanit nisën të shkruanin artikuj që zbulonin gjendjen e keqe të vendit dhe polemizonin me kontradiktat e thella historike. Në atë kohë, aty nga tetori i vitit 1935, – shkruan Petro në librin e tij, në faqen 141 – më shkruan një letër Vangjel Koça dhe Branko Merxhani, që të kthehesha menjëherë në atdhe, se do të botonim një gazetë të re. U ktheva në nëntor të atij viti”. 
Ky është ndryshimi Petro, sepse bashkë me atë djalëri që hodhi themelet e mendimit shqiptar europian, ju sakrifikonit për atdheun sepse besonit në të ardhmen e tij. Ju kishit një atribut që ne sot nuk e kemi. Njerëz si Merxhani, Toto, Koça, Marko e dhjetëra të tjerë njihnin detyrimin historik të brezit të tyre! Të kthehesh në atdhe, jo thjesht për një gazetë, por për mendimin e lirë që do të sillte ndryshimin europianizues të vendit. Petro dua të të informoj se ka sot në Shqipëri, vetëm një shtëpi botuese, “Plejad” quhet, që i ka botuar të gjitha veprat e mendimtarëve shqiptarë të asaj kohe, por se brezat e rinj pak i marrin në duar, ndërsa ata që drejtojnë punët e arsimit dhe të edukimit shkollor, nga që nuk i njohin ato pena dhe ata “korifej” të lirisë, sillen sikur shqetësohen për ta, kjo për t’u justifikuar!! 
Në fakt i kanë lënë në haresë si jetim të historisë! 
Do doja t’u thoja këtyre profanëve me pushtet dhe me diploma, se aso kohe, pikërisht në motin 1935 pas “Kryengritjes së Fierit” në Shqipëri, u bë kërdia me dënime, me vdekje dhe burgosje. Por se “emra të shquar të asaj kohe, si Ainshtajni, Barbysi, Romen Rolani e të tjerë protestonin dhe kërkonin shpëtimin nga ekzekutimi i dhjetëra shqiptarëve të dënuar me vdekje” (po aty, faqe 140). 
Ju ishit iluminist, gazetar, poet, prozator, publicist sepse ishit mendimtarë atdhetarë! Sot, i dashur Petro, ka vajza dhe djem që e kanë lidhur jetën me penën e gazetarit dhe që për t’i shërbyer publikut dhe të vërtetës, sakrifikojnë, ndeshen dhe përballojnë sfidat, pasi edhe në ditët tona ka gjyqtarë që gjobisin gazetarët kur ata sjellin fakte që ju prishin “imazhin” politikanëve. 
Ka ende pushtetarë që ngërdheshen dhe hakërrohen, kur ndonjë gazetarë i “pickon” tek pasuria marramendëse. Por, ka edhe nga ata parelinjtë e rinj më “DIPLOMË” injoranti, që blejnë dhe shesin mediat dhe mediatarët me tullon! Tani, më thuaj ti Petro, ku Ismet Toto e Branko Merxhani, e ku këta “zerdeqap”. Mirë që pati nga ata shqiptar me gjak dhe shpirt shqiptari, që e pranuan Arianitën në atë “thirrje” me vlerë, jo thjesht me kuptimin utilitar, por me një kuptim human! Ne jemi zhytur në një “zallamahi” dhe nuk na duhet se çfarë ndodh me familjen e Petro Markos, rebelit ndaj të gjithë sistemeve antiliri, i dekoruar “Nderi i Kombit” por që kurrë nuk shkroi, nuk foli dhe nuk luftoi për ndere. Këta vitet e fundit Petro vëllai, kanë ndërruar jetë shumë mëndje të ndritura, së fundi dhe Pashk Gjeci, që na solli në shqip “Komedinë Hyjnore” të Dantes, Gjergj Zheji, që përktheu “Republikën” e Platonit e Ndoc Gjetja, që vargëzonte si i fundit i epikëve alpinë, por vetëm kur ata u nisën për rrugëfund, ngarkuar në arkmortë, njerëzia u kujtua që paskërkan qenë ende gjallë! Turpi ynë është se ata kanë banuar në ca brima, që vetëm apartamente nuk mund të quhen. Varfëria e tyre ekonomike nuk i pengoi të mbeteshin pengje të dijes! 
Kam një duf o Petro, e dua ta ndaj me ty! Po ku janë “penat e arta zyrtare”, pse ata nuk flasin për këtë gjëmë sociale dhe përse nuk protestojnë që shtetit “t’i dalë pija e të bëhet esëll” për të parë se ku jetojnë vlerat dhe se si do duhet të sillet ai me to?! 
Të gjitha “bujaritë hipokrite”, pasi gjërat kanë shkuar si mos më keq, më duken aq të vockla përpara gjestit të atij marinarit francez, kur ti Petro u nise vullnetar për në “Luftën e Spanjës” me anijen franceze “Teofil Gotie”. Edhe për të tjerët, po i sjell ato fjalë në ligjëratë të drejtë: 
“Mon petit, vien avec moi! Më morri nga dora dhe më shpuri poshtë, në kabinën e tij. Më shikonte me sy dhe më fliste me sy. Hapi sirtarët e nxori proshutë, kaçkavall, banane dhe një shishe verë. 
-Mange, mon petit! Mange et repose toi ici! 
-Merci, – i thashë. Para se të dilte nga kabina e tij, u kthye, mbylli derën dhe më tha me zë të ulët: 
-Mon petit, je sais ou tu va! Il faut batter Franco, il faut sauver la Republique Espanjol!(Vogëlushi im, unë e di ku po shkon ti! Duhet mundur Frankoja. Duhet shpëtuar Republika Spanjolle.) Hëngra piva dhe më zuri gjumi. Ndjeva dorën e marinarit francez në ballë. Hapa sytë dhe e pashë që më buzëqeshte me zemër deti. 
O Petro Marko himarjoti, a mund të më ndihmosh ta zbërthejmë kuptimin e këtyre fjalëve, sa të thjeshta e kaq të thella. 
“Të buzëqeshësh me zemër deti”! Po si është zemra e detit?! E thellë në shpirtërim, e gjerë në ndjenjë, e pasur në mirësi, e trazuar në dallgëzimin e valëve që jeta t’i sjell si detyrim! Apo duhet ta kuptojmë se zemrën duhet ta kemi det, në dashurinë për njeriun edhe kur atë nuk e njohim dhe kur e njohim, sepse rrugëtimi njerëzor është detyrimi ynë universal, si misioni për të cilin vijmë në jetë! Nëse, qoftë edhe njëri nga ne, ai njeriu më anonim, nuk e ndjen këtë kujdes të njeriut për njeriun, bota është e sëmurë nga dehumanizmi! 
Sot në Shqipërinë tonë ka zhvillim e përparim, kush thotë që nuk ka, ose është i verbër, ose është i marrë! 
Por se ka edhe të varfër, e shumë të varfër që vuajnë për bukën e gojës! Dua të të pyes Petro! Si mund të ndihen ata që nuk ngihen me para, përballë bashkëpatriotëve të tyre që nga ana e tyre nuk arrijnë të ngopen dot me bukë?! 
Ndoshta ju andej mund ta shihni më mirë, se këndej nga ne është humbur ndjeshmëria, dhe hedonizmi ka pushtuar edhe njerëzit e letrave e të ndjenjave! Ata janë përçudnuar, sa që bezdisen nga halli dhe vuajtja njerëzore. Duket sikur mbyllin sytë dhe veshët dhe pena e tyre reket të heshtë ose të ngjyhet atje larg tek brigjet sterile! Japin e marrin për të djeshmen, ndërsa e sotmja ka mbetur pa zot. Kaq e vështirë është që të gjejmë migjenizëm sot?! Të drejtohem ty Petro, sepse më ka mbetur në mëndje një episod i jetës tënde. Para se të niseshe në Luftën e Spanjës, me vizën për në Francë, që ta lëshoi në Athinë konsulli ynë Rauf Fico (me rekomandimin e mikut tuaj të përbashkët Branko Merxhani), i cili e kuptoi qëllimin e udhëtimit në Francë, pa çka se ti ja “justifikove” se po shkoje atje për të vizituar “Ekspozitën Ndërkombëtare”, ti Petro shkruan në “Re dhe Gurrë” se shkove takove Migjenin në Shkodër! Për mua Petro, Migjeni ka një stil që nuk shuhet dhe humbet sepse në qendër ai vinte njeriun dhe për fatin e tij, ai akuzonte sistemin politik! 
Para dy vjetësh Migjeni mbushi 70 vite që nuk jeton. I shkrova një letër të gjatë sepse institucionet përgjegjëse të artit dhe kulturës ishin me vakanca dhe nuk patën mëndje dhe kohë që ta kujtonin! E bija e Skënder Luarasit, mikut tënd të llogoreve në Luftën e Spanjës, është edhe mbesa e Migjenit, ajo ka bërë një punë fisnike duke ja botuar veprën e plotë atij kollosi të mendimit poetik, këtij moderni disident! Ju shoh me sytë e mendjes, si në atë moment prag-ndarjeje, dhe dua të sjell, ashtu të plotë, dialogun tuaj të fundit: “’Lum ti që ke shëndet të mirë! Po, Petro lum t’i që ke shëndet të mirë’. Më vështroi një copë herë, sikur deshi të më jepte porosi, por shqiptoi këto fjalë të fundit që dëgjova prej tij: ‘Ti ke shkruar vargje të mira dhe të dobëta, ke shkruar shumë, po nisja jote për në Spanjë është poema më e bukur që po shkruen’”(libri i cituar, faqe 183, fjalët e Migjenit thënë Petro Markos). 
Dhe ju shkruajtët, atje në betejën historike, antifashizmin dhe pro-republikanizmin, duke botuar revistën “Vullnetari i Lirisë” në gjuhën shqipe, pa çka se hasët në rezistencë. 
Luixhi Longo, drejtuesi i lartë politik, ju sillte si argumente se revistë në gjuhën kombëtare nuk kishin grekët, bullgarët, turqit, rumunët, si mund të botohej një e tillë në shqip, gjuhë kjo e një populli të vogël. Por, si shkruan ti Petro, Emrush Myftari e bindi me argumente, dhe në drejtimin e saj u vunë personalitete si, Skënder Luarasi, që ti me patos e quan: “patriot, demokrat, antifashist, njeriu më i kulturuar nga gjithë vullnetarët shqiptarë” (po aty faqe 216). Por dashuria dhe solidariteti juaj, mua më frymëzon edhe sot e kësaj dite, sepse ne brezat e sotëm nuk e kemi. Në konferencën e shkrimtarëve që u zhvillua atje pranë frontit dhe ku merrnin pjesë Heminguej, Aleksej Tolstoi, Ehremburgu, Ana Segers, Ludvig Reni, Pablo Neruda, Nikola Guilen, Cezare Valejo, Neksoe, Andre Malro dhe shumë shkrimtarë nga Anglia dhe amerika Latine, ti Petro rekomandove të shkonte Skënder Luarasi, si më me “kulturë që kishte shkruajtur një dramë dhe kishte përkthyer vepra me rëndësi”. Ndërsa Skënderi dhe Emrushi ngulën këmbë të shkoje ti me argumentin se “ti përfaqëson të rinjtë që shkruajnë sot në Shqipëri! Ti duhet të shkosh”! 
Me lejen tënde Petro po përmend të gjithë emrat e luftëtarëve të Spanjës: Teni Konomi, Asim Vokshi,Ramiz Varvarica,Urfi Agolli, Dhimitër Kosta,Ymer Puka, Justina Shkupi, Skënder Luarasi, Emrush Myftari, Shaban Basha, Xhemal Kada, Ulusi Spahiu, Mane Nishova, Veli Deda, Stefan Duni, Bim Kurani,Kostë Kolombo, Daut Muço, Zef Prela, Xhafer Miraku, Iljaz Pashai, Faik Dardha, dhe ata “që erdhën vonë”-si edhe thua ti në librin tënd të jetës;Mehmet Shehu,Thimo Gogozoto,Musa Fratari, Zihni Muço. I përmenda të gjithë Petro luftëtari, sepse ka pasur shumë përvjetore të antifashizmit, por autoritetet nuk janë kujtuar për to. As të majtët në Shqipëri, dhe konkretisht Partia Socialiste që flet për raportin antifashizëm-demokraci funksionale e që prej disa viteve drejton Bashkinë e Tiranës, pikërisht ajo, nuk ka gjetur as arsye as motiv që një shesh të Kryeqytetit ta emërtoj “Luftëtarët e Spanjës” dhe të vendos atje një bazorelief memorial me emrat tuaj! Mbase ju bie në mëndje atyre të qeverisjes qendrore, që janë të djathtë, por se kanë se ç’mësojnë nga gjesti i para pak ditëve, kur presidenti i sotëm i Francës, Nikola Sarkozi, shkoi në Angli me rastin e 70-vjetorit të përshëndetjes përmes radio BBC të popullit francez nga ish-gjenerali de Gol, me fjalët për të rezistuar kundër pushtimit nazist! Shteti ynë do të pasurohej me vlera në të gjitha aspektet, nëse të gjithë heronjve të Spanjës, atyre dëshmorëve të rrugës sonë europiane, t’u lidhte pension të veçantë, dhe jo të seleksionojë dy-tre persona të letrave shqipe që kanë sot më shumë pasuri se sa libra! Personalisht, do të ndalem vetëm tek njëri prej jush Petro, tek zonja Justina Shkupi, infermierja që u nis për në Spanjë si vullnetare, vetëm me një fjalë të Skënder Luarasit “se për ju ka nevojë shumë atje”. Ajo grua fisnike, shoqe e Gonxhe Bojaxhiut, nënë Terezës ka atje në luftën e Spanjës një detaj kuptimplotë. Rasti kur treni u bombardua dhe të gjithë mjekë e infermierë dolën nga vagonët, vetëm ajo jo. Vijonte t’i jepte gjak një të plagosuri, që nga bombardimi kishte marrë edhe një plumb në shpatull. Në Shqipëri këta 20 vite Petro, edhe është ndërtuar ndonjë spital, fjala që vjen në Durrës ka një të tillë modern si ata të Europës. Edhe ministra të Shëndetësisë kemi, burra dhe ndonjë grua, ata ikin e vijnë, flasin e premtojnë, krenohen e shpaguajnë, veçse askush nuk është kujtuar që emrin e Justina Shkupit t’ia dhurojë ndonjërit nga institucioneve të Shëndetësisë, apo ndonjë fakulteti të Infermierisë! 
Kjo lloj heshtje është më shumë se harresë, është një moskokëçarje me historinë! E shoh Petro Marko, të vura në mendime, por është më mirë t’i themi të vërtetat, ti për këtë luftove dhe u përndoqe! Më duket sikur më the me rënkim, se “fashizmi të internoi dhe të luftoi, komunizmi të burgosi dhe të përndoqi, demokracia të dekoroi dhe po të mbulon me heshtje dhe kjo lloj sjellje është dërmonjëse”. Edhe unë, si ty arsyetoj. 
Heshtja është më e keqe se vdekja, sepse duket sikur gjithë puna të ketë vajtur dëm! Kjo ndodh kur heroizmi del në pazar, kur ai shitet e blihet nga çfarëdolloj matrapazësh, që nuk ju skuqet faqja. Të harrosh kontributin e brezave që shkuan, do të thotë të mendosh gabimisht, se histori është vetëm koha kur je dhe mbretëron ti! 
Besoj se jemi në një mendje Petro Marko, se kjo është sëmundja më e keqe që mund të vërë njeriun për fund! Një shumë harresash, edhe po të mblidhen dhe po të ndahen, nuk krijojnë dot kujtesë! Një vend e një popull pa kujtesë, është jetim në fat dhe kontribut! 
Kaq mund të bëja unë për të ndihmuar familjen tuaj fisnike, o pelegrin i fjalës së lirë, Petro Marko. 

Merr: Petro Marko (Dhërmi-Himarë-Shqipëri) 
Dërgon: Përparim Kabo (Kalaja e Sopotit, Borsh-Sarandë-Shqipëri)

Si të bëhesh një mysliman i vërtetë

Një media që mbështetet tek skandali është vënë në bashkëpunim me klerikë myslimanë vetëpromovues, për të krijuar një cikël mitesh vetëpërforcuese rreth karikaturave të Muhamedit, shkruan Kenan Malik

 


 

Fondamentalistët nuk janë myslimanë të vërtetë

 

Një media që mbështetet tek skandali është vënë në bashkëpunim me klerikë myslimanë vetëpromovues, por anësorë, për të krijuar një cikël mitesh vetëpërforcuese rreth karikaturave të Muhamedit, shkruan Kenan Malik. Frika e shkaktimit ofendim ka ndihmuar që të minohen tendencat progresive në islam dhe të fuqizohet dora e fanatikëve fetarë.

Në Irlandë 7 njerëz u arrestuan për një komplot të supozuar për të vrarë karikaturistin suedez Lars Vilks, i cili ka paraqitur Profetin Muhamed me trupin e një qeni në gazetën “Nerikes Allehanda”. Në Aarhus, një somalez u përpoq që të vrasë Kurt Westergaard, karikaturistin më kontradiktor të Jyllands-Posten. Në Londër, Faisal Yamani, një jurist saudit, kërcënoi që të përdorë ligjet e njohura të shpifjes të Britanisë për të paditur 10 gazeta daneze që botuan karikaturat në emër të 95000 “pinjollëve të Muhamedit”.

Pesë vjet, pasi Jyllands-Posten botoi karikaturat tani të njohura të saj, jehonat po ndjehen akoma dhe jo vetëm nga karikaturistët. Kërcënimet dhe dhuna që vazhdoi të rrethojë botimin e tyre, ka pasur një impakt ngjethës mbi shkrimtarët, botuesit, pronarët e galerive dhe drejtorët e teatrove. Dy vjet më parë, gjiganti botues amerikan, Random House, tërhoqi The Jewel of Medina, një histori romantike e gjallë rreth Aishes, bashkëshortes më të re të Profetit Muhamed, nga frika se një gjë e tillë do të rezultonte fyese. Kur vitin e kaluar Yale University Press botoi The Cartoons that Shook the World, studimin erudit e Jytte Klausen të kundërshtisë lidhur karikaturat, shtëpia botuese refuzoi që të përfshijë ndonjë prej karikaturave, duke shkaktuar revoltimin e shkrimtares. Kur revista e fjalës së lirë Index on Censorship botoi një intervistë me Klausen lidhur me vendimin e Yale, edhe kjo revistë refuzoi që të paraqesë ndonjë prej karikaturave.

“Do të duhej të mendoheshit dy herë, nëqoftëse do të ishit të ndershëm”, thotë Ramin Gray, Associate Director në Royal Court Theatre të Londrës kur u pyet, nëse do të shfaqte ndonjë pjesë kritike për islamin. “Do të duhet ta merrni pjesën bazuar në meritat individuale të saj, por duke pasur parasysh kohën që jetojmë, është shumë e vështirë, pasi duhet të keni frikë se, nëqoftëse shkaktoni ofendime, atëhere e gjithë ndërmarrja do të varrosej në një det kundërshtish. Kjo ju bën që të veproni me kujdes”. Në qershor 2007, teatri anulloi një përshtatje të re të Lysistrata të Aristofanit, e vendosur në parajsë myslimane, prej frikës se mos shkaktonin ofendime. Një tjetër teatër londinez, Barbican, hoqi pjesë të mëdha të prodhimit të saj Tamburlaine the Great për të njëjtën arsye, ndërsa Deutsche Opera e Berlinit, anulloi një vënie në skenë të Idomeneo të Mozartit në vitin 2006, për shkak të paraqitjes së Muhamedit. Tri vjet më parë, Gemeentemuseum në Hagë hoqi një ekspozitë fotografike të artistit iranian Sooreh Hera që paraqiste meshkuj gei që mbanin në fytyrë maska të Muhamedit. “Njerëz të caktuar në shoqërinë tonë mund ta perceptojnë këtë si fyese”, tha drejtori i Muzeumit, Wim van Krimpen. De Volkskrant, një gazetë e majtë holandeze e lavdëroi muzeumin për “profesionalizmin e madh” të treguar në heqjen e fotografive. Vetë Hera mori kërcënime për jetën. Tim Marlow i galerisë artistike, White Cube të Londrës sugjeroi se, vetëcensura nga ana e artistëve dhe e muzeumeve tani ishte e zakonshme, megjithëse “shumë pak njerëz e kanë pranuar në mënyrë eksplicite”.

Për shumë, e gjitha kjo sugjeron një konflikt fondamental midis vlerave të islamit dhe atyre të Perëndimit. Gazetari amerikan, Christopher Caldwell, në librin e tij kontradiktor Reflections on the Revolution in Europe, të botuar vitin e kaluar, argumenton se emigrimi mysliman në Europë ka qenë i ngjashëm me një formë kolonizimi. “Qysh nga ardhja e tij gjysmë shekulli më parë”, vëren Caldwell, “Islami ka shkatërruar – ka kërkuar axhustime ose mbrojtje të prapme – shumë prej zakoneve evropiane, marrë ide dhe struktura shtetërore, me të cilat është vënë në kontakt”. Islami “nuk po e përmirëson apo po i jep vlerë kulturës europiane; ai po e zëvendëson atë”.

Ideja e “përplasjes së qytetërimeve” u propozua fillimisht 20 vjet më parë në valën e aferës Salman Rushdie nga historiani Bernard Lewis dhe u popullarizua disa vjet më vonë nga shkencëtari politik amerikan, Samuel Huntington. Sot, ajo është bërë urtësi e zakonshme. “Sërish”, siç e ka paraqitur romancieri Martin Amis, “Perëndimi konfronton një sistem iracional, agonik, teokratik/ideokratik që thelbësisht dhe në mënyrë të palodhshme i kundërvihet ekzistencës së tij”.

Megjithatë, edhe pse vazhdon me tezën e përplasjes së qytetërimeve, Caldwell zbulon pamjaftueshmëritë e saj. “Ajo çka laikët europianë e quajnë “islam””, nënvizon ai, “është një grup vlerash që Dante dhe Erazmusi do ta njihnin si të tyrin”. Nga ana tjetër, të drejtat moderne shekullare që përbëjnë “vlerat thelbësore evropiane” do ta “linin pafjalë Danten dhe Erazmusin”.

Me fjalë të tjera, ato çka me i shikojmë tani si “vlera perëndimore” – të drejta individuale, shekullarizim, liri fjale – janë vlera moderne, të dallueshme nga ato që animonin shoqëritë evropiane në të kaluarën. Dhe nuk janë vetëm europianët mesjetarë, që do t’i refuzonin vlerat bashkëkohore evropiane. Shumë europianë bashkëkohorë i refuzojnë ato. Shkrimtarja britanike Melanie Phillips, në mënyrë militante, armiqësore ndaj asaj që e shikon si “vënien nën kontrollin islamik të Perëndimit” dhe asaj që e quan “lëvizja drejt vetëvrasjes sociale” që vjen me pranimin e emigracionit mysliman. Megjithatë, ajo është thellësisht simpatizante me refuzimin e islamit të humanizmit shekullar, që ajo mendon se ka krijuar “një kulturë të korruptuar dhe të trazuar kënaqësie të menjëhershme, me familje të shpërbëra, fëmijë brutalë dhe dhunë, shurdhësi dhe vulgaritet nëpër rrugë”. Myslimanët “kanë konkluduar se shoqëria që i pret ata të identifikohen është një gjiriz moral”, argumenton Phillips. “Kështu që ka ndonjë gjë për t’u habitur që e ata e refuzojnë atë?”. Edhe Caldwell mendon gjithashtu se, ndërsa përballja aktuale e Perëndimit me islamin mund të jetë e “dhimbshme dhe e dhunshme”, ajo ka qenë gjithashtu “një injektim oksigjeni në jetën intelektuale monotone, materialiste dhe që kërkon gjilpërën në kashtë të Perëndimit”, për të cilën duhet të shprehim “mirënjohjen” tonë.

Me fjalë të tjera, nuk ekziston asnjë grup i vetëm vlerash evropiane, që të shkojnë përtej historisë në kundërshti me vlerat islamike. As nuk ekziston gjithashtu as një grup i vetëm vlerash perëndimore sot. Vetë vlerat që islamistët radikalë bartin – vlerat e humanizmit shekullar – janë po ato vlera që aq shumë u shpifin disa prej kritikëve më të mëdhenj të islamit.

Nëqoftëse nuk ekziston asnjë gjë e tillë si një grup “vlerash evropiane”, që e tejkalojnë kohën, e njëjta gjë është e vërtetë për “vlerat islamike”. Ashtu si të gjitha fetë e tjera, islami përmbledh sëbashku një grup besimesh dhe një kompleks institucionesh sociale, traditash dhe kulturash që i lidhin njerëzit në një marrëdhënie speciale me një konceptim të veçantë të së shenjtës.

Gjatë shekujve, këto institucione dhe kultura e kanë transformuar leximin e Kuranit dhe praktikën e islamit. Si të gjitha format sociale, fetë nuk mund të qëndrojnë të ngrira. Islami sot nuk mund të jetë më si islami i shekullit të VII-të sesa Meka sot mund të duket si qyteti i kohës së Muhamedit.

Islami është transformuar jo vetëm gjatë kohës, por edhe nëpërmjet hapësirës. Përhapja e besimit nga bregu atlantik në arkipelagun indonezian e përtej inkorporoi njerëz që përshtaten në shkrimet kuranike shumë prej praktikave të tyre të vjetra fetare dhe sociale. Ajo çka mirpurisët pakistanezë e shikojnë si islam tradicional është shumë ndryshe nga ai i beduinëve afrikanoveriorë dhe ajo çka mirpurisët britanikë e shikojnë si tradicionale është ndryshe nga traditat e mirpuristëve akoma në Mirpur. “Problemi kyç nuk është ajo çka aktualisht thotë Kurani, por ajo çka myslimanët thonë se, thotë Kurani”, nënvizon sociologu francez, Olivier Roy.

Edhe një traditë në dukje aq thellësisht e ngulitur dhe aq e palëkundur si ajo në zemrën e kundërshtisë rreth karikaturave daneze – ndalimi i paraqitjes piktoreske të Profetit Muhamed – në të vërtetë nuk është aq thellësisht e ngulitur apo e palëkundur. Larg nga islami që i ka ndaluar gjithmonë paraqitjet e profetit, qe e zakonshme që të portretizohej ai deri pakashumë në kohët e vonshme. Ndalimi kundër paraqitjesh të tilla u shfaq vetëm në shekullin e XVII-të. Edhe gjatë 400 viteve të fundit, një numër traditash islamike, veçanërisht ato shiite, e kanë pranuar paraqitjen piktoreske të Muhamedit. Edinburgh University Library në Skoci, Bibliotheque National në Paris, Metropolitan Museum of Art e New York dhe Topkapi Palace Museum në Stamboll, përmbajnë të gjitha dhjetëra dorëshkrime persiane, osmane dhe afganase që e paraqesin Profetin. Fytyra e tij mund të shikohet gjithashtu në shumë xhami, deri dhe në Iran. Për shembull, një afresko e shekullit XVII-të në Iman Xhaminë Zahdah Chah Zaid në qytetin iranian, Isfahan, paraqet një Muhamed, tiparet e fytyrës të të cilit janë të dukshme në mënyrë të qartë.

Edhe sot, pak myslimanë e kanë problem që të shikojnë fytyrën e Profetit. Menjëherë, pasi Jyllands Posten botoi karikaturat, gazeta egjiptiane “Al Fagr” i ribotoi ato. Ato shoqëroheshin nga një koment kritik, por “Al Fagr” nuk e mendoi si të domosdoshme që ta zbardhte fytyrën e Muhamedit dhe nuk u përball me asnjë akuzë, se pse veproi kështu. Autoritete fetare dhe politike të Egjiptit, edhe pse po kërkonin një apologji nga Kryeministri danez, nuk ngritën asnjë objeksion ndaj fotove të plotë të “Al Fagr”.

Kështu, edhe pse nuk ka asnjë ndalim universal për ta paraqitur Muhamedin, atëhere pse myslimanët u tmerruan universialisht nga karikaturat? Ata nuk u tmerruan dhe ata që u tmerruan qenë të shtyrë më shumë nga zelli politik sesa nga ai teologjik.

Botimet e karikaturave në shtator 2005 nuk shkaktoi asnjë reagim të menjëhershëm, as edhe në Danimarkë. Vetëm kur gazetarët, të zhgënjyer nga mungesa e kundërshtisë, kontaktuan një numër imamësh për përgjigjet e tyre, atëhere islamistët filluan që të njohin mundësinë e dhënë jo vetëm nga karikaturat, por gjithashtu edhe nga ndjeshmëria e shoqërisë daneze për botimin e tyre.

Midis të parëve të kontaktuar, qe kleriku kontradiktor Ahmed Abu Laban, me nam të keq për mbështetjen e tij ndaj Usama bin Laden dhe sulmeve të 11 shtatorit. Ai i shfrytëzoi menjëherë karikaturat për ta transformuar veten në zëdhënës për myslimanët e Danimarkës. Megjithatë, sado fort që mëshoi, ai fillimisht e gjeti të vështirë për të provokuar një egërsim në Danimarkë apo jashtë saj. U deshën më shumë se 4 muaj fushatash shpesh histerike dhe bërrylash të konsiderueshëm nga diplomatë sauditë për të krijuar një kundërshti më të madhe. Në fund të janarit 2006, Arabia Saudite thirri ambasadorin e saj nga Danimarka dhe lëshoi një bojkot konsumi për mallra daneze. Si kundërpërgjigje, një numër gazetash evropiane i ribotuan karikaturat në “solidaritet” me Jyllands-Posten.

Qe vetëm në këtë moment, që çështja u bë më shumë se një zhurmë e vogël diplomatike. Pati demonstrata dhe trazira në Indi, Pakistan, Indonezi, Egjipt, Libi, Syri, Iran, Nigeri, Palestinë, Afganistan dhe tjetërkund. Ambasadat daneze në Damask, Bejrut, dhe Teheran u dogjën. Por, siç ka vërejtur Jytte Klausen, këto protesta “nuk u shkaktuan nga karikaturat, por qenë pjesë konfliktesh në pika të nxehta që ekzistonin më parë” të tilla si Nigeria veriore, ku ekziston një luftë civile efektive midis myslimanëve salafitë dhe kristianëve. Dhuna që rrethoi konfliktin e karikaturave, sugjeron Klausen, është “keqraportuar” si shprehje e dhunës spontane nga myslimanët “të konfrontuar me imazhe të këqija”. Kjo, këmbëngul ajo, “nuk qëndron as në qiell e as në tokë”. Më shumë “këto imazhe janë shfrytëzuar nga grupe politike në konflikt paraekzistues lidhur me islamin”.

Më së pari, pse gazetarët e kontaktuan Abu Labanin? Shtypi danez e përshkroi atë si “lider shpirtëror”. Në fakt, ai është inxhinier mekanik nga arsimimi dhe islamit nga prirja. Shoqëria Islamike e Danimarkës së tij ishte e lidhur ngushtë me Vëllazërinë Myslimane, por kishte pak mbështetje midis myslimanëve danezë. Nga një popullsi prej 180 000 myslimanësh danezë, më pak se 1000 merrnin pjesë në faljet e Xhumasë të Shoqërisë.

Megjithatë, Abu Labani kishte nam të keq për mbështetjen e sulmeve ndaj Kullave Binjake. Nga një pikëpamje gazetareske, kishte kuptim që të merrje një mendim nga dikush kaq kontradiktor, por edhe politikisht kishte. Parlamentari danez Naser Khader tregon për një bisedë me Tøger Seidenfaden, botues i “Politiken”, një gazetë e majtë tejet kritike për karikaturat. “Ai më tha se, karikaturat i fyenin të gjithë myslimanët”, kujton Khader. “I thashë se, nuk ndjehesha i tillë. Ai më tha: “Por ti nuk je mysliman i vërtetë””.

Me fjalë të tjera, në sytë liberale, të qenit mysliman i vërtetë është që t’i gjesh ofenduese karikaturat. Sapo autenticiteti mysliman përcaktohet kështu, atëhere vetëm një figurë e tillë si Abu Labani mund të shikohet si një zë mysliman i vërtetë.

Karikaturat daneze, siç vëren Jytte Klausen, “janë bërë jo vetëm një instrument për ekstremizmin, por krijuan gjithashtu një dramë sentimentale në Perëndim rreth asaj se çfarë “bëjnë” myslimanët për pikturat”. Ose, siç e ka shprehur Naser Khader, “Ajo çfarë unë realisht gjej ofenduese është se gazetarët dhe politikanët i shikojnë fondamentalistët si myslimanë të vërtetë”. Mitet rreth karikaturave daneze – se të gjithë myslimanët i urrenin karikaturat dhe se ky qe një konflikt teologjik – ndihmuan që Abu Labani të kthehej në një zë autentik të islamit. Në të njëjtën kohë, pikëpamjet e Abu Labanit dukej se e konfirmonin mitet rreth karikaturave daneze.

Modeli për këtë lloj mitbërjeje qe afera Salman Rushdie. Më shumë se 20 vjet nga fetvaja, ne kemi arritur ta pranojmë pothuajse si aksiomatike idenë se kundërshtia mbarëbotërore u shkaktua nga blasfemitë në The Satanic Verses, të cilin të gjithë myslimanët e gjenin thellësisht ofenduese.

The Satanic Verses u botua në shtator të vitit 1988. Për 5 muajt e ardhshëm, deri kur Ajatollah Khomeini nënshkroi fetvanë Ditën e Shën Valentinit 1989, shumica e myslimanëve e injoruan librin. Fushata kundër romanit në pjesën më të madhe qe e kufizuar në nënkontinentin indian dhe në Britani. Përveç përfshirjes së Arabisë Saudite, pati pak entuziazëm për një fushatë në botën arabe, në Turqi apo midis komuniteteve myslimane në Francë apo Gjermani. Kur autoritetet saudite u përpoqën në fund të 1988, që të siguronin ndalimin e romanit në vendet myslimane anembanë botës, pak u përgjigjën, përveç atyre me popullsi të mëdha nënkontinentale, të tilla si Afrika e Jugut apo Malajzia. Edhe në Iran, libri qe i lirë në qarkullim dhe u reçensionua në shumë gazeta.

Ashtu si në kundërshtinë rreth karikaturave daneze, qe politika, jo feja, ajo që transformoi The Satanic Verses në një eveniment mbarëbotëror me përmasa historike. Romani fillimisht u bë problem në Indi për shkak se Jamaat-e-Islami, një grup islamik kundër të cilit Rushdie ishte drejtuar në romanin e tij të mëparshëm Shame, u përpoq që ta përdorte romanin si instrument politik në një fushatë zgjedhjesh të përgjithshme. Nga India, fushata anti Rushdie u përhap në Britani, ku Jamaat kishte një rrjet organizatash të financuara nga qeveria saudite. Nga vitet Shtatëdhjetë, Arabia Saudite ka përdorur petrodollarë për të financuar organizata palafite dhe xhami anembanë botës, për të çimentuar pozicionin e saj si zëdhënëse për Umma. Pastaj erdhi revolucioni iranian i vitit 1979. që përmbysi Shahun dhe vendosi një republikë islamike. Teherani u bë kryeqyteti i radikalizmit mysliman dhe Ajatollah Khomeini lideri shpirtëror i tij, duke paraqitur një sfidë direkte për Riadin. The Satanic Verses u bë një armë në këtë konflikt midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Riadi kishte bërë ngacmimin fillestar. Fetvaja qe një përpjekje nga ana e Iranit për ta zmbrapsur inisiativën.

Afera Rushdie qe një pikë kthese në jetën politike dhe kulturore të Perëndimit. Qe nëpërmjet kësaj afere që shumë prej çështjeve që dominojnë tani debatin politik – multikulturalizëm, fjalë e lirë, islam radikal, terrorizëm – dolën më së pari në sipërfaqe. Qe gjithashtu nëpërmjet aferës Rushdie që të menduarit tonë rreth këtyre çështjeve filloi të ndryshojë. Kundërshtia rreth The Satanic Verses qe më së pari një konflikt politik, jo fetar, por duke i pranuar mitet se kundërshtia rreth The Satanic Verses shtyhej nga teologjia dhe se të gjithë myslimanët qenë ofenduar nga romani, shumë liberalë arritën në konkluzionin në botën pasRushdie se islamistët qenë zëri i vërtetë i islamit dhe gjithashtu se në një shoqëri pluraliste harmonia sociale kërkonte kufizime më të mëdha të fjalës së lirë.

“Vetëcensura”, sugjeroi filozofi mysliman britanik Shabbir Akhtar në kulmin e aferës Rushdie, “është një kërkesë kuptimplote në një botë bindjesh laramane dhe të mbrojtura me pasion. Ajo çfarë Rushdie shkruan rreth islamit nuk është vetëm punë e tij. Është punë e gjithsecilit, jo vetëm e çdo myslimani”.

Gjithnjë e më shumë, liberalët perëndimorë kanë ardhur duke rënë dakord. Çfarëdo gjëje mund të jetë e drejtë në parim, argumentojnë shumë tani, në praktikë njeriu duhet të pajtojë ndjesitë fetare dhe kulturore për shkak se ato ndjehen thellësisht. Jetojmë në një botë, vazhdon argumenti, në të cilën ekzistojnë konflikte të rrënjosura thellë midis kulturash që mishërojnë vlera të ndryshme, shumë prej të cilave janë proporcionale, por të gjitha janë të vlefshme në vetë kontekstin e tyre. Që shoqëri të tilla të ndryshme të funksionojnë dhe të jenë të drejta, ne duhet të tregojmë respekt për njerëzit, kulturat dhe pikëpamjet e tjera. Drejtësia sociale kërkon jo vetëm që individët të trajtohen si të barabartë politikisht, por gjithashtu dhe besimeve kulturore të tyre t’u jepet njohje dhe respekt i barabartë. Kjo është filozofia e multikulturalizmit dhe në botën multikulturore shmangia e dhimbjes kulturore ka filluar të shikohet si më e rëndësishme nga sa është parë shpesh si një e drejtë abstrakte lirie të shprehjes.

Siç e ka shprehur sociologu Tariq Modood, “Nëqoftëse njerëzit duhet të zënë të njëjtën hapësirë politike pa konflikt, ata reciprokisht duhet të kufizojnë masën në të cilën ata ia nënshtrojnë kriticizmit besimet thelbësore të njëri-tjetrit”. Në botën pasRushdie, liberalët praktikisht e kanë inkorporuar brenda vetes fetvanë.

Pasoja e gjithë kësaj ka qenë se liberalët kanë arritur të mbështesin figurat më reaksionare brenda komunitetit mysliman. Kritikët e Rushdie nuk flasin më për komunitetin mysliman sesa vetë Rushdie. Të dy përfaqësonin forma të ndryshme opinioni brenda komuniteteve myslimane, ashtu siç janë Naser Khader dhe Abu Labani. Rushdie i dha zë një ndjenje radikale shekullare që në vitet Tetëdhjetë qe thellësisht e ngulitur. Kritikët e Rushdie flisnin për disa prej formave më konservatore. Fushata e tyre kundër The Satanic Verses nuk qe për të mbrojtur komunitetet myslimane nga sulmet e paprincipta nga fanatikët antimyslimanë, por për të mbrojtur pozicionin e tyre të privilegjuar brenda këtyre komuniteteve prej sulmeve politike nga ana e kritikëve radikalë, për të afirmuar të drejtën e tyre që të jenë zëri i islamit nëpërmjet mohimit të legjitimitetit të kritikëve të tillë. Ata ia arritën një gjëje të tillë të paktën pjesërisht, sepse liberalët shekullarë i përqafuan ata si zërin “autentik” të komunitetit mysliman.

United Kingdom Action Committee on Islamic Affairs (UKACIA), fushata kryesore antiRushdie në Britani, përbëhej në pjesën më të madhe nga organizata të frymëzuara nga islamizmi radikal. Këto grupe arritën të krijojnë zemrën e Muslim Council of Britain (MCB), e cila u krijua në vitin 1977 dhe shpejt u pranua nga vendimmarrësit politikë dhe gazetarët si zëri i islamit britanik.

“Numri dërrmues i organizatave me të cilat qeveria [britanike] flet”, thotë sociologu Chetan Bhatt, ekspert në ekstremizmin fetar, “është i influencuar, është i dominuar nga organizatat fasadë të Jamaat-e-Islami dhe Vëllazërisë Myslimane. Axhenda e tyre është e bazuar në mënyrë strikte në politikat e së djathtës radikale islamike, nuk përfaqëson politikat apo aspiratat e mazhorancës së myslimanëve në këtë vend”.

Në të vërtetë, nuk e përfaqëson. Sondazhet kanë treguar në mënyrë të qenësishme se vetëm rreth 5 përqind mendojnë se MCB-ja i përfaqëson. Por mbështetja zyrtare e dhënë organizatave të tilla në erë pasRushdie i ka deformuar perceptimet e komuniteteve myslimane në Britani dhe bile në një masë të caktuar edhe vetëperceptimet e myslimane. Dhe kjo jo vetëm në Britani. Ka pasur, sugjeron Naser Khader, një proces të ngjashëm në Danimarkë. “Vetëm muaj përpara kundërshtisë së karikaturave, Kryeministri danez e pati ftuar Abu Labanin në një konferencë për terrorizmin. Njerëzit si unë filluan të thonë “Ata përfaqësojnë pak njerëz”, por askush nuk na dëgjoi. Qeveria mendonte se nëqoftëse flisnin me dikë që dukej si mysliman, atëhere po flisnin më myslimanët e vërtetë. Unë nuk dukem siç ata mendojnë se duhet të duket një mysliman i vërtetë – nuk mbaj mjekërr, vishem me kostum, pij alkool – kështu që nuk jam mysliman i vërtetë. Por shumica e myslimanëve në Danimarkë janë më shumë si unë sesa si Abu Labani”.

Kur rritesha në vitet Tetëdhjetë, koncepti i një “radikali” në kontekstin mysliman nënkuptonte dikë që ishte militant shekullari, dikush që sfidonte jo vetëm racizmin, por edhe pushtetin e xhamive. Dikush si puna ime. Sigurisht, kjo gjë sot nënkupton pothuajse të kundërtën: “radikali” është një fondamentalist fetar. Pse ky ndryshim? Më së shumti për shkak të zhgënjimit me të majtën shekullare, nga njëra anë dhe institucionalizimit të politikave multikulturore, nga ana tjetër. Zhgënjim nga politikat shekullare, shpërbërje e së majtës dhe braktisje nga e majta e politikave të universalizimit në favor të partikularizmit etnik kanë ndihmuar që shtyhen shumë të rinj shekullarë aziatikë drejt islamizmit si një alternativë mbarëbotërore. Në të njëjtën kohë, shfaqja e multikulturalizimit dhe e politikave të identitetit kanë ndihmuar që të krijohen më shumë shoqëri tribale dhe të korrodohen aspiratat për një grup universal të vlerave.

Brenda komuniteteve myslimane këto zhvillime kanë ndihmuar që të minohen tendencat progresiste dhe të fuqizohet dora e fanatikëve fetarë. Myslimanët shekullarë kanë arritur të shikohen se po e tradhëtojnë kulturën e tyre, ndërsa islami radikal është bërë jo vetëm më i pranueshëm, por, për shumë edhe më autentik. Ndërsa, tradita shekullare është tkurrur shumë, vendi i vetëm që i ofron strehë rinisë së pakënaqur ka qenë islami militant.

Politikat multikulturore liberale nuk e kanë krijuar islamin radikal, por kanë ndihmuar që të krijohet një hapësirë në shoqëritë perëndimore, që më parë nuk kish ekzistuar. Gjithashtu, ato kanë siguruar një legjitimitet moral fals për argumentat islamiste. Çdo herë që një politikan denoncon një diçka “ofensive”, çdo herë një gazetë kërkon falje pse shkakton ofendim, çdo herë që një gazetar i tregon dikujt si, Naser Khader se nuk është mysliman i “vërtetë”, aq herë ata forcojnë pretendimet morale të islamistëve. Do të ketë gjithmonë ekstremistë, që do të përpiqen të vrasin karikaturistë apo bomba në zyrat e gazetave. Pak mund të bëjmë për to, por ajo që mund të bëjmë është të refuzojmë të krijojmë një kulturë që i inkurajon njerëz të tillë nëpërmjet pranimit të zërave të tyre si në njëfarë mënyre legjitime.

 

Kenan Malik është shkrimtar, lektor dhe drejtues televiziv. Librat e tij përfshijnë From Fatwa to Jihad. The Rushdie Affair and Its Legacy (2009) dhe Strange Fruit. Why Both Sides are Wrong in the Race Debate (2009).

 

Përgatiti

ARMIN TIRANA