Kur ushqimi (nuk) çohet dëm

Nga David Clark

Dsc00190

 

Në shumë prej vendeve të Amerikës Latine më të ardhura të ulëta për frymë, mundësitë financiare për të blerë ushqime janë të pakta. Pjesa më e madhe e vendeve të Amerikës së Jugut shquhen si vende të botës së tretë. Për shkak të burimeve të pakta ekonomike, këta popuj nuk e kanë për zakon të shkapërderdhin ushqimin. Në të vërtetë, shumë prej tyre shkojnë deri atje sa të hanë pjesë të mishit të lopës, kaut, viçit a diç tjetër, çka amerikano-veriorët as nuk e çojnë nëpër mend t’i vënë në gojë. Pasi jetova për dy vite me radhë në Amerikën Latine dhe iu përshtata mënyrës së tyre të jetesës, mbeta shtang kur u ktheva përsëri në SHBA dhe hëngra darkë në gjirin e familjes sime, po atë natë që vura këmbë në shtëpi. Nuk mundesha ta besoja faktin se sa ushqim çohej dëm. Nëse nuk mundeshin apo nuk donin të hanin gjithçka që u shërbehej, s’kishte pse ta çonin dëm, por ta përdornin kur t’u vinte për të ngrënë. Interesant është fakti se unë veproja po në këtë mënyrë me vaktet e ushqimit përpara se të kaloja dy vite të plota të jetës sime në gjirin e popujve të Amerikës Latine. Atje, për shkak edhe të kushteve ekonomike dhe mënyrës së jetës, ata hanin edhe lugën e fundit të ushqimit dhe mblidhnin edhe dromcat e fundit të bukës. Në një farë mënyre, do të dëshiroja që gjithkujt nga vendet e zhvilluara t’i jepej rasti të vizitonte vendet e Amerikës Latine dhe të jetonte në gjirin e këtyre popujve të varfër. Nëse do të vepronin kështu, do të ndryshonte diçka brenda vetes së tyre. Mendoj se njerëzit do të bëheshin më pak grykës dhe do të vlerësonin bollëkun që gëzojnë. Njëherazi, mendoj se tek vizitorët do të lindte ndjenja e përdëllimit për ata që përballen përditshmërisht me betejën për të siguruar bukën e gojës. Mendësia e mos-çuarjes dëm të ushqimit është bërë pjesë e pandashme e jetës sime. Ka raste kur jam duke ngrenë bashkë me bashkëshorten time, dhe kur ajo i jep fund ngrënies, ka gjithnjë ushqim të pambaruar në pjatën e saj. Kështu, jam unë ai që i jap fund të gjithë ushqimit në pjatën e saj, ngaqë, pasi kam shpenzuar dy vite të jetës sime në Amerikën latine, e kam të pamundur të çoj dëm qoftë edhe një grimcë ushqimi (Për pasojë, më duhet të kryej shumë ushtrime gjimnastikore për të tretur ushqimin me shumë kalori, aq më tepër kur konsumoj si pjatën time ashtu edhe një pjesë të së sajës. Në shtëpi kam një biçikletë palestre që e përdor në raste të tilla). Në disa zona të Amerikës Latine më zinin sytë fëmijë të vegjël që rrëmonin në dyshemetë e papastra, duke futur në gojë guralecë apo ndotje të tjera, duke shpresuar që të ishte diçka ushqyese. Kam rastisur me boll njerëz të uritur deri në palcë. Sa përvojë pikëlluese është ajo e qenies i pranishëm në mjedise ku njerëz prej mishi e gjaku, apo edhe të mitur, të vdisnin për bukën e gojës. E kam të zorshme të shpjegohem më tepër se ç’do të ndjente gjithkush prej jush nëse do të përballej me rrethana të tilla. Jeta ime ndryshoi kryekëput pasi kalova një pjesë të jetës sime pranë këtyre qenieve që mbijetonin në rrethana të tilla. Kur isha i vogël, “mami” më këshillonte ta haja të gjithë ushqimin, pasi kishte fëmijë në Kinë që vdisnin nga uria. Asokohe nuk ia merrja të gjithë kuptimin kësaj shprehjeje të “sikletshme”, gjersa mbërriti çasti kur u përballa vetë me një situatë të tillë ku fëmijët vuanin nga uria në vendet e botës së tretë. Morali i tregimit: Si të veprojmë? Ka një sërë projektesh humanitare që u vijnë në ndihmë fëmijëve që vuajnë për bukën e gojës. Shumë prej nesh kanë boll për të ngrënë. Përse vallë të mos u ofrojmë ndihmën tonë të vobektëve? Personalisht njoh mjaft organizata e shoqata që i janë përkushtuar kësaj veprimtarie. Po personalisht, do t’u ofroja ndihmën time të gjithë atyre që do të më drejtoheshin, e që kanë për qëllim t?u vijnë në ndihmë qenieve në nevojë. 

Autori është President i “U.S. Institute of Languages”

Nazet e Britanisë për energjinë

Nga Roger Cohen (Nju Jork Tajms)


 

Britanikët janë shprehur pro ndërtimit të fermave të erës. Mirëpo ata nuk duan t’i sakrifikojnë peizazhet për energjinë e gjelbër – shumë të kërkuara. Nuk duan që fuqia e turbinave të vrasë lakuriqët. Aha, lakuriqët e gjorë! Pra, më jepni mua naftë nga vrasësi masiv Gaddafi ose nga arabët fjalëmbël për aq sa unë të mos e kem të trazuar ndërgjegjen time nga vrasja e lakuriqëve ose nga kuajt e tmerruar

London_eye_twilight_april_2006

Britania po bëhet nazeqare. Kolumnistë të njohur e pëlqejnë këtë. Ismon Jenkins shkroi një artikull në “The Guardian”, titulli i të cilit ishte: “Ju lumtë për sjelljen nazemadhe”. Kolegu i tij, Alexander Chancellor, tashmë kishte deklaruar se “nuk ndihem keq për sjelljen nazelie”. “Nimby” është një shprehje që ka kuptimin e “not in my backyard”. Duke ia shtuar një “ism”, kjo shprehje ka kuptimin e një fenomeni social të karakterizuar nga një masë e hipokrizisë. Sipas një studimi të publikuar vitin e kaluar nga Universiteti i Cardiffit, për të ardhmen e energjisë së Britanisë së Madhe, 82 për qind e britanikëve janë deklaruar në favor të energjisë së erës. Por provoni të vendosni turbina të erës në kopshtin prapa shtëpisë së ndonjë britaniku, dhe helikat menjëherë do t’i gjeni të thyera. Një numër i madh i atyre që kanë shprehur gatishmëri për t’i vendosur helikat kanë marrë leje shtetërore. Mirëpo pavarësisht prej gatishmërisë politike për të shënuar një progres në prodhimin e energjisë nga burime alternative, ka reagime të britanikëve për formën. Ata nuk duan që helikat t’u shkaktojnë telashe me ajrin dhe të sjellin zhurmë. Chancellor tha këto fjalë lidhur me këtë çështje: “Ato vrasin lakuriqët duke ua eksploduar mushkëritë e tyre të vogla. Ato frikësojnë kuajt me efektin e njohur si ‘regëtimë hijesh’”.
Aha, lakuriqët e gjorë! Pra, më jepni mua naftë nga vrasësi masiv Gaddafi ose nga arabët fjalëmbël për aq sa unë të mos e kem të trazuar ndërgjegjen time nga vrasja e lakuriqëve ose nga kuajt e tmerruar. Kam menduar për anën estetike të turbinave të erës. Natyrisht se ato nuk e kanë vendin në vende idilike – por as ne nuk po shkojmë në to. Atëherë unë ju preferoj atyre të mendojnë pak për ethet e mungesës së energjisë elektrike. Nuk do ta teproj të shkoj aq larg sikur Chris Hulue, sekretar shteti për Energji, që tha në një debat (për besë, nuk po tallem) se turbinat “janë absolutisht të bukura”. Ato mund t’i durojmë për hatër të energjisë së sigurt, të ripërtërirë dhe me pak nivel karboni.
Për këtë Britania ka nevojë të madhe. Një rrjet eksportues i energjisë për shumë vjet, falë naftës së Detit Verior, Britania u bë një rrjet importues në vitin 2004 dhe tani 28 për qind të nevojave energjetike i bazon nga importi. 18 reaktorët e saj të energjisë atomike po plaken – të gjithë duhet të mbyllen më së largu në vitin 2023. Me burime të ripërtërira energjetike, si era dhe dielli, që janë shfrytëzuar vetëm nga 3.3 për qind e konsumit britanik në vitin e kaluar, Britania është larg prej cakut të saj – të mandatuar nga Bashkimi Evropian – për realizimin e shifrës së 15-përqindëshit deri në vitin 2020. Në teori të gjithët britanikë janë pro këtij caku. Studimi i Cardiffit ka gjetur se 81 për qind e britanikëve janë të frikësuar se Britania do të bëhet shumë e varur nga energjia e importuar. Edhe pse ka më pak britanikë që mendojnë se ka rreziqe nga ndryshimi klimatik – 66 për qind krahasuar me 77 për qind në vitin 2005 (një krizë ekonomike ka bërë që mendjet të jenë të fokusuara në të tashmen – ata përkrahin përdorimin e një përzierjeje burimesh energjetike (74 për qind), dhe 82 për qind thonë se me “gjasë ose definitivisht do të votonin në favor të ndërtimit të fermave të reja të erës në Britani”, karshi 41 për qind për stacione të energjisë bërthamore.
Por kjo kishte ndodhur përpara se njerëzit të bënin naze. Në këtë mesele duket se ka shumë hipokrizi të atyre që njëherë kërkonin forma alternative të energjisë. Njerëzit, duke qenë gjithmonë konservatorë, e duan ndryshimin më shumë se kurrë – ama jo atëherë kur prek tokat e tyre baritore – madje edhe atëherë kur ata e dinë se është e nevojshme më shumë se kurrë. Në fshatin e bukur të Clare në Suffolk, kur “Telecomi” britanik ka propozuar vendosjen e turbinave të erës, njerëzit janë çuar në këmbë. Janë vendosur shenja të mëdha përgjatë rrugës, që thonë “Stop turbinave të BT-së”. Kundërshtarët kanë thënë se vendosja e turbinave nuk do të linte më hapësirë për aterrime të jashtëzakonshme dhe nuk do të ketë më sinjale televizive nëpër fshatra për shkak të humbjes së valëve nga turbullimi i erës së turbinave.
Është e vërtetë se fuqia e erës do të sjellë telashe, por ama nuk do të sjellë gjendje për ta rrokur trumbetën e kiametit. Kështu, me një çmim dyfish më të lartë, Britania po detyrohet t’i ndërtojë fermat e reja të erës në zona detare. Në vitin 2010 ka pasur një rënie prej 38 për qind krahasuar me vitin 2009, derisa janë trefishuar ato në zona detare. Të gjitha ato kabllo nën det duhet të ndërlidhen diku. Britania nuk është e vetmja që nuk ka një konsistencë në këtë politikë qeveritare. Liberalët në Parkun e pjerrët të Brooklynit i duan biçikletat derisa një çiklist i bezdisshëm u sillet përreth në Parkun e prospektit. Liberalët në Massachusetts mendojnë se energjia e erës është e mirë derisa nuk propozohet një fermë e re në Natucket Sound.
Disa kundërshtime kanë kuptim. Si një vizitor i Parkut të pjerrët të Brooklynit, është e papranueshme të ndërtohet një trase motoçikletash në një park të vendosur pranë një zone përplot rrugë për motoçiklistë. A do të thotë kjo se unë kundërshtoj gjithë sjelljen nazeqare, me përjashtim të sjelljes time? E tmerrshme! Refuzoj të besoj. Për t’ia hequr Perëndimit qafe varësinë nga nafta i duhet të sakrifikojë disa prej peizazheve. Britania që kërkon energji të gjelbër duhet të mbrojë edhe pretendimet për këtë energji – jo vetëm në det, po edhe në kopshtet e veta të bukura.

Ruajtja e karakterit të Prizrenit

Nga Pieter Feith (Shef i ICO-së)


 

Pas përpjekjeve konkrete nga autoritetet e Kosovës për të mbrojtur dhe promovuar objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore gjatë muajve të fundit, çështja është kthyer sërish në lajme, meqë Kuvendi po shqyrton legjislacionin e ri për Qendrën Historike të Prizrenit.  Unë dua të shpjegoj se pse personalisht unë– dhe organizata ime, ICO-ja – brengosen aq shumë për atë që ndodh me trashëgiminë e Kosovës, dhe pse unë mendoj se ajo meriton të mbrohet në mënyrë të duhur me ligj. Prizreni ka një përzierje unike të popujve dhe influencave kulturore. Trashëgimia e tij e jashtëzakonshme u dëmtua rëndë nga konfliktet e mëparshme dhe aktualisht është e rrezikuar nga zhvillimi i përshpejtuar urban. Ne duhet ta ruajmë karakterin e Prizrenit dhe të sigurojmë që zhvillimi i Qendrës së tij Historike të bëhet në mënyrë të rregulluar dhe të respektuar. Ky nuk është vetëm një detyrim lokal, por duke pasur parasysh trashëgiminë e çmuar dhe popullaritetin e madh të qytetit mes vizitorëve në Kosovë, ai është gjithashtu me interes të madh vendor dhe ndërkombëtar.

 

Prizreni

Qëllimi parësor i Projektligjit për Prizrenin është të ruajë trashëgiminë kulturore të qytetit duke siguruar që zhvillimi në Qendrën Historike të Prizrenit të jetë i kontrolluar dhe i rregulluar. Por më lejoni të nënvizoj se ligji do të ruajë edhe jetën publike tradicionale të qendrës së qytetit të Prizrenit si një element jetik i karakterit unik të atij qyteti. Ligji përkufizon dhe ndalon aktivitete të caktuara, të cilat nuk janë në pajtim me ruajtjen e Qendrës Historike, të tilla si ndërtimet e përmasave të mëdha të natyrës industriale ose komerciale. Ndalimi apo kufizimi i projekteve që kërcënojnë ruajtjen dhe karakterin e qendrave historike është një praktikë e zakonshme që aplikohet për qendrat urbane me vlera kulturore në shumë qytete evropiane dhe në mbarë botën. Për të qenë më specifik, Aneksi V i Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (PGJS) dhe Ligji i Kosovës për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, kërkojnë krijimin e një “zone të veçantë të mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit” dhe përcaktojnë se ajo “duhet të përfshijë objektet ortodokse serbe, objektet otomane, ato katolike, laike dhe objektet e tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore”. Kjo është një dispozitë, mes të tjerave, të cilën Kosova vetë është zotuar ta zbatojë pa rezervë.
Zona e përkufizuar nga projektligji mbulon kufijtë administrativë të Qendrës Historike ashtu si përcaktohet në Planin e Konservimit dhe Zhvillimit Komunal dhe zgjerohet për të përfshirë zonën e kalasë dhe një pjesë shtesë në perëndim të Qendrës historike. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore që ndodhen brenda kësaj zone – e që përfaqësojnë komunitete dhe kultura të ndryshme – do të përfshihen, si për shembull, disa xhami, kisha, hamami, si dhe shtëpitë tradicionale.
Më lejoni të jem shumë i qartë: ligji nuk do t’i japë status ekstraterritorial ose “pushtet” të tepruar ndonjë komuniteti të veçantë në Prizren; ligjet e Kosovës do të mbeten në fuqi dhe Komuna e Prizrenit do të vazhdojë të mbetet autoriteti përgjegjës. Në të vërtetë, projektligji ashtu si parashihet do të rrisë përgjegjësinë e autoriteteve për menaxhimin e Qendrës Historike me anë të përfshirjes së shoqërisë civile të Prizrenit, ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare (Kishës Katolike, Bashkësisë Islame dhe Kishës Ortodokse Serbe) në mbikëqyrjen e zhvillimit të saj. Mendoj se kjo është diçka që mund të mirëpritet nga shoqëria civile dhe publiku. Këto grupe me interes do të përfshihen në procesin e vendimmarrjes përmes “Komitetit për trashëgimi kulturore”, i cili do të themelohet menjëherë pas miratimit të ligjit. Ky lloj i konsultimit të palëve me interes është një praktikë thuajse tipike në mbarë Evropën dhe kontribuon në marrëdhëniet e mira të komunitetit. Kjo nënkupton se qytetarët do ta kenë fjalën e tyre për atë se si zhvillohet Prizreni, në vend se të gjitha vendimet t’u lihen vetëm autoriteteve. Me këtë ligj nga autoritetet do të kërkohet që të jenë më përfshirëse dhe transparente ndaj shoqërisë civile në vendimmarrjen e tyre, por askush nuk do të ketë “veton”. Më duhet të nënvizoj se ekziston një parim i qartë që zbatohet në të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore: nuk duhet bërë asgjë që pengon rolet përkatëse të autoriteteve qendrore dhe komunale në Kosovë. Qytetarët e Kosovës dhe në veçanti ata që jetojnë në Prizren duhet të kenë parasysh ndikimet ekonomike të mbrojtjes dhe ruajtjes së përmirësuar të trashëgimisë kulturore dhe fetare përmes zhvillimit të kontrolluar dhe të harmonizuar. Mbrojtja e shtuar nga ndërtimet e jashtëligjshme bëhet me qëllimin që Qendra Historike e Prizrenit të bëhet një vend i këndshëm për të jetuar dhe punuar, ndërkohë që ajo bëhet edhe një destinacion tërheqës turistik. Kjo do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik përmes investimit dhe gjenerimit të të ardhurave, të cilat do t’i japin shtysë rritjes ekonomike. Trashëgimia kulturore dhe fetare promovon debate pa fund – kjo është një pjesë e fuqisë dhe rëndësisë së saj. Por ekziston rreziku që diskutimi i duhur demokratik, akademik ose shoqëror për këto çështje të shpërqendrohet nga qëndrimet politike. Çdo tentativë për të shfrytëzuar trashëgiminë për qëllime nacionaliste është negative dhe gjithmonë e gabuar. Trashëgimia e pasur e Kosovës meriton të mbrohet në emër të të gjitha komuniteteve, atyre që jetojnë këtu dhe atyre që do të vijnë për të admiruar këtë vend të shumëllojshëm dhe të bukur. Prizreni është një shembull i asaj që është më pozitive dhe më tërheqëse për këtë vend, dhe besoj se duhet mbrojtur si duhet.  Komuna e Prizrenit, shoqëria civile, qytetarët dhe komunitetet fetare kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur, dhe organizata ime, ICO-ja, mbetet e gatshme t’ju përkrahë të gjithëve në përmbushjen e kësaj detyre të rëndësishme.

Kriza ekonomike le të sjellë një kërcim gjigant për centralizimin e BE-së

Nga Jean Pisani Ferry


 

Krizat ekonomike nëpër shtetet evropiane i kanë detyruar liderët evropianë të marrin vendime për dorëzimin e më shumë kompetencave shtetërore në të mirë të integrimit evropian, sesa që ata kishin menduar. Është mirë që këto hapa të vegjël për eurozonën të çojnë drejt një kërcimi gjigant për të ardhmen e Evropës

 

Jean_pisani_ferry

Jean Pisani-Ferry

 

Bota kishte pritur krijimin e eurbondeve pas samitit franko-gjerman të javës së kaluar; në vend të kësaj doli se eurozona ka nevojë për një qeveri ekonomike. Sipas kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit francez, Nicolas Sarkozy, hapi i madh i krijimit të eurobondeve do të jetë kulmi i këtij procesi, por tash për tash janë shënuar disa hapa të vegjël progresi. Por ama, pyetja është nëse këta hapa do të shërbejnë për ndonjë qëllim. Përgjigjja është kjo, duhet ta kthejmë pak kokën pas. Deri në këtë verë është konfirmuar kriza e borxheve të këtyre tri shteteve të vogla – Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë. Spanja ia ka arritur t’i shmanget një krize të ngjashme dhe vlerat e shkëmbimeve financiare shënuan një rritje prej dy për qind.
Megjithatë, deri nga gjysma e korrikut, çmimi i huamarrjes së Spanjës dhe Italisë kishte arritur pothuajse në katër pikë, dhe kushtet e kredimarrjes në Francë nisën turrshëm të shënonin përkeqësim. Menjëherë pati një spektër të një krize nëpër të gjitha tregjet financiare. Eurozona nuk ishte e gatshme të menaxhonte me këtë gjendje. Mekanizmi lehtësues i stabilitetit financiar evropian, i krijuar në vitin 2010, kishte një kapacitet të kufizuar financiar prej 300 miliardë eurosh – i mjaftueshëm për t’i shpëtuar vendet e vogla periferike, por i pamjaftueshëm edhe për një vend të vetëm si Spanja. Në horizonte shihej sinjali i krizës.
Më 21 korrik liderët evropianë lejuan rritjen e kapacitetit të këtij fondi me qëllim që të mundësohej edhe blerja e borxheve të thella të vendeve, si Spanja dhe Italia. Ani pse ky mekanizëm financiar evropian nuk është në gjendje që të marrë mbi supe kriza të shpeshta të përmasave të borxhit të Italisë apo Spanjës, ndryshimet ia mundësojnë të parandalojë kriza të ngjashme. Kur kjo marrëveshje të ratifikohet nga parlamentet kombëtare, do të mundësohet blerja e borxheve të tregjeve sekondare. Në të njëjtën kohë edhe Banka Qendrore Evropiane ka rritur ndikimin e saj në nxjerrjen e vendeve në borxhe nga kriza. Gjendja e tregjeve financiare ka nisur të stabilizohet prejse BQE-ja nisi blerjen e bondeve më tetë gusht.
Kjo përgjigje ka ardhur bazuar në një hipotezë se ndryshe nga kriza e thellë financiare greke – e cila erdhi për shkak të papërgjegjësisë shtetërore – sinjalet e krizës së mundshme në Spanjë dhe Itali kanë edhe elemente spekulimi. Këtu vendet do të kenë një dozë panik, që mund të ndikojë në përkeqësimin e kushteve të kredive. Në raste të tilla, ndërhyrjet e kufizuara dhe të besueshme duhet të bëhen vetëm sa për të mos e ndryshuar trendin, por megjithatë nuk mund të garantohet qëndrueshmëria financiare. Në rast se do të ketë dështime, atëherë edhe një fond prej një bilion e gjysmë nuk do të mjaftonte për shkak se falimentimi financiar do të kishte efekt domino: një krizë spanjolle do të prekte atë italiane, kjo e fundit do të sillte krizë në Francë, që do ta linte Gjermaninë virtualisht të vetmuar si garantues i ombrellës së bllokut monetar evropian.
Lëshimi për qarkullim i eurobondeve do të thotë zëvendësim i strategjisë së kohëve të fundit të eurozonës  “secili për vete” me atë “të gjithë për një, një për të gjithë”, që do të mundësonte marrjen e kredive për secilin vend në krizë. Secili shtet anëtar do të ndihej i sigurt nga garancitë që do t’i jepnin të gjithë anëtarët e tjerë, dhe kjo do të ishte një gjendje e njëjtë për të gjithë pjesëtarët. Eurozona edhe ashtu ka një siguri më të madhe në tregjet financiare sesa në tregjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, apo Japonisë. Ideja është tërheqëse, por duhet pranuar se një garantues i përbashkët do të kërkonte që secili vend pjesëmarrës të lejojë qasjen e anëtarëve të tjerë në taksat e shtetasve të tij, që do të ishte një shans për ta kuptuar se cilat janë mundësitë e huamarrjes së një anëtari. Kjo strategji nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk do të ketë një transparencë që të gjitha shtetet të kenë qasje në stabilitetin financiar të buxheteve të vendeve anëtare. Kështu që secili vend duhet të sakrifikojë diçka nga interesat e veta, me qëllim që të ruhet një garanci e përbashkët e bllokut.
Vendime të tilla nuk mund të merren nga këshille teknokratësh ose konklava ministrash. Ato duhet të merren nga mekanizma konkretë të ngjashëm me parlamentet që përfaqësojnë drejtpërdrejt interesat e një shteti. Kështu që lëshimi i eurobondeve në treg duhet të jetë nën kontroll të një forme qeverie federative evropiane, që duhet të pranohet nga shtetet dhe popujt e kontinentit të vjetër.
Nuk ka fije dyshimi se Merkel dhe Sarkozy nuk e pëlqejnë këtë prospekt. Por përgjigjja e tyre mund të interpretohet e dyanshme. Vendimi i tyre që presidenti i Bashkimit Evropian, Herman van Rompuy të jetë president i eurozonës dëshmon një politikë kohezive evropiane se zona ka për qëllim qetësimin e tregjeve dhe mbështetjen e strategjisë së përshtatur më 21 korrik. Por nëse kjo del të jetë një strategji e pamenduar mirë dhe nëse kërkohet një qasje më ambicioze, ekzistimi i një strukture qeverisjeje, ose së paku hapat e parë drejt krijimit të saj do të trasonin bazën për një makineri më të zhvilluar institucionale financiare.
Me pak fat, pjesa e parë e përgjigjeve do të ishte e mjaftueshme, sepse e dyta vështirë se do të realizohet duke ditur mospranimet politike. Por vendimi u mbetet vetëm pjesërisht vendeve anëtare. Sepse krizat nëpër shtetet evropiane i kanë detyruar të marrin vendime që do t’i detyrojnë të lëshojnë më shumë kompetenca shtetërore në të mirë të integrimit evropian, sesa ata kishin menduar. Është mirë që këta hapa të vegjël për eurozonën çojnë drejt një kërcimi gjigant për të ardhmen e Evropës.

Autori është drejtor i Bruegelit, një grupi të pavarur të mendimit të çështjeve ekonomike dhe profesor universitar në Paris. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë “Project Syndicate”

Mallkimi i qytetit më të vjetër në botë

             Nehat Islami

 

Damasku pesëmilionësh ende mbetet qyteti më i vjetër në kontinentet e rruzullit në tokësor. Ai ka më shumë se njëzet shekuj jetë. Sham Sherifi, si e quanin edhe shqiptarët e vjetër, pasardhësit e të cilëve aty sot numërojnë mbi 20 mijë, do ta thonë fjalën e fundit për dinastinë kriminele të Bashar el Asadit – Pse Siria mbetet kampione e grusht shteteve, unioneve të pasuksesshme arabe, strumbullar i aleancave të pazakonshme, importuesja aktuale më e madhe e armatimit sovjetik në regjion dhe, shpresoj, “murrlani” i fundit i regjimit kundër “Pranverës arabe”, vetëm e vetëm për ta ruajtur pushtetin me çdo çmim. Ky regjim dyzetvjeçar i pakicës së sektit alauit që mban të gjitha levat e pushtetit dhe të dhunës dhe që ka vendosur ta vrasë gjysmën e popullit, mund të shijojë lirinë vetëm nëse më në fund do të paraqitet një armatë e atyre që ende po mbajnë transparente në dorë dhe po numërojnë të vrarët e vet, e që do të komandohen nga oficerët e dëshpëruar. Ata i vrasin njësoj si popullsinë civile “Garda revolucionare” dhe Divizioni i Katërt me 12.000 “të pashpirt” të komanduar nga Mahiri, vëllai fuqiplotë i presidentit Bashar el Asad.

View_of_damascus_from_mount_qasioun

Siria është shtet me 22 milionë banorë i Lindjes së Mesme, me afro 190 mijë kilometra katrorë dhe me histori të gjatë mbi 20-shekullore. Në gjysmëshekullin e fundit ishte dhe mbeti enigma e pazgjidhur e diplomatëve, e strategëve dhe e gazetarëve të huaj, se si mundi të qëndronte ende në këmbë ky vend, kur përjetoi pesë luftëra me Izraelin, pa asnjë fitore, pos kthimit të një fshati në Golan, i quajtur Kuneitra, shkatërrime, grusht shtete që nuk mund t’i mbajë “në laps” as kroniku më i kujdesshëm. Që prej pavarësisë së Sirisë nga mandati francez, në vitin 1946, kam numëruar 8 grusht shtete të kryera (duke filluar nga koloneli Hysni Zaimi e gjer te Hafez el Asadi), kurse analistët ushtarakë kanë regjistruar edhe 17 përpjekje të pasuksesshme për grusht shtet. Pas puçit të fundit të gjeneralit Hafez el Asad, më 13 nëntor 1970, e deri në vdekjen e tij rrafsh pas tridhjetë vjetësh, Siria përjetoi një “qetësi të dhembshme”, kur ata që mendonin ndryshe dhe kërkonin demokraci hidheshin në burgjet nëntokësore si në El Maze, me gjyq e pa gjyq, edhe me nga 20 vjet në kazamate, pa parë dritë.

Kjo kohë e quajtur “romantizmi arab” që filloi me dekolonizimet dhe me ardhjen e Naserit në pushtet në Egjipt, shënohet edhe si “stinë e martesave të shkurtra sa “muaji i mjaltit”. Kështu, pas Krizës së Suezit (1956), kur u nacionalizua nga Egjipti kjo arterie e lundrimit botëror, u krijua Bashkimi i Egjiptit dhe i Sirisë. Flamuri i përbashkët u bë me dy yje, por vetëm tre vjet dhe prapë secili u kthye në shtëpinë e vet. Pastaj, më 1966 lindi një dashuri më e flaktë e “treshes” (Siri-Egjipt-Irak), por edhe kjo ishte jetëshkurtër dhe në “fund të idilit” secili e mori pas nga flamuri i përbashkët yllin e vet dhe kujtimet e hidhura për tradhtinë e partnerëve.

Koha e “okulistit të verbër”

Siria po vazhdon të derdhë gjak edhe sot nga “Garda revolucionare” e përbërë nga 12 mijë trupat më elite, kryesisht pjesëtarë të sektit alauit, nën komandën e Mahirit, birit gjakpirës të ish-presidentit Hafez el Asad, që vdiq në vitin 2000, të cilin, në sistemin “demokratik presidencial” e trashëgoi biri i tij, Bashar el Asad, “okulisti i verbër” siç e quan populli këtu.

Kështu e deshi klani Asad, i përbërë nga 60 mijë pjesëtarë të sektit, nga një milion ,sa janë gjithsej në Siri. Ata mbajnë plot dyzet vjet çdo levë të pushtetit të korruptuar dhe janë në gjendje të vdesin e të mos largohen nga pushteti, sepse do të humbasin pasurinë e madhe të krijuar pa djersë, privilegjet, por edhe jetën. Ai që do të jetë në gjendje të garantojë amnisti për ta, ai do ta gjejë edhe rrugëdaljen nga kjo krizë. Por këto garanci nuk mund ta japë askush, së paku jo, brenda në Siri.

Klani ka privatizuar shtetin, Partinë BASS dhe satelitët e saj, armatën, të gjitha llojet e sigurimit të shtetit, ekonominë e shtetit që kundërmon me duhmin e pasurisë së pamerituar familjare, diplomacinë e stërkequr, administratën shumë të korruptuar dhe çdo gjë që lëviz. Rreth i dytë i forcave të sigurisë së lartë janë edhe 22 mijë pjesëtarë të besueshëm që herë janë polici e herë ushtri speciale, kurse pjesa e armatës së rregullt, me shumicë nga arabët sunitë dhe të krishterë, që së bashku janë 90 për qind të popullit, paraqesin vetëm numër dhe uniforma të rendit të fundit, ndaj të cilëve klani Asad nuk ka kurrfarë besimi e as konsiderate. Këta pesë muaj të fundit oficerë dhe ushtarë joalauitë po vriten njësoj si demonstruesit që kanë mbushur të gjitha rrugët e sheshet e qyteteve siriane. Dezertorët e uniformuar pushkatohen në vend. Disa kanë arritur të ikin në Turqi së bashku me mijëra refugjatë apo në male, ku po përgatiten ta themelojnë “Armatën Çlirimtare të Sirisë”, pasi asgjë tjetër nuk po bën punë. Nëse do të ndodhë ky variant, edhe në Siri do të përsëritet skenari libian.

Populli sirian ka përvojë të hidhur nga heshtja e të tjerëve edhe kur kundër tij u bënë masakra të papara. Në vitin 1982 në qytetin sirian Hama revoltat popullore kundër regjimit u shuan pas vrasjes së 20 mijë qytetarëve. Asadi i vjetër i shpjegoi botës se ata ishin “Vëllezër myslimanë, rrezik i rendit të ri botëror” dhe çdo gjë përfundoi me kaq. Këtë herë fjalëve të Damaskut zyrtar nuk po u beson askush në botë, pos Gadafit dhe disa mullave të Iranit. Shteti-familje i Gadafit është kopje më besnike i atij sirian. Rrëzimi sa më parë i cilësdo nga këto familje do ta dekurajojë deri në fund tjetrën. 

Tani, të gjitha qendrat e rëndësishme arabe, nga Turqia fqinje e deri te palestinezët, kanë ngritur zërin kundër dinastive Asad dhe Gadafi, por ende nuk po shihet ndonjë ide konkrete për intervenim të jashtëm ushtarak në Siri me ndihmën e fuqive të mëdha. Të gjithë presin që revolta e armatosur të fillojë nga brenda, e pastaj atë ta ndihmojnë nga jashtë.

Siria nuk i do gazetarët. As ata vendës që përpiqen ta thonë ndonjë fije të së vërtetës, e lëre më të huajt. Sot në Siri nuk gjendet asnjë gazetar i huaj. Të gjithë janë dëbuar dhe raportojnë nga pikat kufitare. Ata që përpiqen të hyjnë ilegalisht, mund të vriten. Gazetarë më të besueshëm të Sirisë janë bërë populli demonstrues me aparate telefonike celulare te tipit “Surreja”.

Ato që ne i shikojmë në ekranet televizive nga demonstratat në Siri, janë falë këtij tipit të telefonave celularë që kanë akses në valët satelitore, pa kaluar nëpër centralet e kontrolluara vendore dhe pastaj pamjet shpërndahen në të katër anët e botës. Klani Asad nuk ka fuqi të rrëzojë satelitët ndërkombëtarë.

Pse e dua Sirinë

Damaskun dhe Sirinë kam filluar t’i dua që në kohën time djaloshare, kur isha korrespodent i “Rilindjes” në Bejrutin fqinj. E kam ndier edhe si pjesë të gjakut tim, sepse shumë objekte kapitale të Damaskut (1832-1840) i ndërtoi një shqiptar i quajtur Ibrahim Pasha, djali i Mehmet Ali Pashës, sepse në Halepin magjik filloi karrierën e tij  diplomatike Vaso Pashë Shkodrani, ku shkroi disa nga veprat e tij udhërrëfyese si të pavarësohej Shqipëria. Këtu u ruajt gjuha shqipe në mijëra familje muhaxhirësh, duke organizuar shkolla – shtëpi me mësues autodidakt. Në Siri u pritën me dhjetëra kundërshtarë të regjimit komunist nga trevat shqiptare, pas Luftës së Dytë Botërore për t’u shpërndarë, pastaj në të gjitha anët e botës. Në Damask jetuan dhe ende krijohen intelektualë përmasash të larta. Këtu u shkruan poezitë më të ndjeshme për atdheun e shqipeve edhe nga ata prindërit e të cilëve këtu erdhën si kalamaj. Në Halep dhe Damask, një shqiptar i shekullit të 16-të, Sinan Pasha, ndërtoi godina që ende ruhen.

Siria është djep i shkollave të njohura filozofike të Lindjes së Mesme, hambar i shkencëtarëve të njohur në botë, veçmas në ekonomi dhe në mjekësi. Në Siri, njerëzit janë shumë më të afërt dhe më mikpritës se kudo në këtë regjion, por edhe të traumatizuar nga presionet e ndryshme të regjimit të gjatë, që u përpoq të mbushë në ta çdo ndjenjë humanizmi.

Me gjithë trysninë e pandërprerë të regjimit për ta shuar çdo forcë të rezistencës, sirianët njihen si prodhues të satirës e të humorit. Gjithnjë më janë dukur si shkodranët.

Prandaj, çdo lajm i keq nga Siria më godet më rëndë dhe çdo shpresë shpëtimi të këtij populli më ushqen si të isha një sirian i rëndomtë, sepse i kam përcjellë të gjitha krajatat e tyre si njeri dhe si gazetar.

 

Po afrohet fundi

“Pranvera arabe” po përballet me një “dimër” të stërzgjatur sirian, jemenas dhe libian.

Regjimi i Mubarakut dhe ai i Ben Aliut në Tunizi, që përfunduan shkurt dhe pa shumë gjakderdhje, dëshmuan se me gjithë despotizmin, në këto dy shtete, pos “familjes-shtet” gjendeshin edhe fuqi të tjera kundërshtare në parlament, administratë e gjetiu. Mubaraku dhe Ben Aliu kishin zgjatur shtypjen e popullit të vet duke u mbështetur prapa parullës: “Po e luftojmë fundamentalizmin”. Salehu i Jemenit me luftën kundër “terrorizmit”, kurse Siria si shtet i kapur edhe nga interesat e Iranit, Hezbollahut libanez i kërcënohet Izraelit sa për të thënë dhe për ta mbajtur punën nxehtë”, por shfryhet mbi popullin e vet, duke ia shkelur çdo të drejtë elementare, madje edhe të drejtën për jetë me moton: “Izraeli mbi të gjitha”.

      Tani kur po e ndien fundin, regjimi sirian ka ndryshuar edhe propagandën me moton “Siria garante e sigurisë në rajon”. Djali i tezes së Presidentit, Mahlufi, përndryshe “bankier” i familjes-shtet, i deklaroi këto ditë shtypit amerikan se “stabiliteti në Izrael është i lidhur me stabilitetin e Sirisë”, sikundër qe edhe Gadafi ka filluar ta frikësojë Perëndimin me parullën e re: “Destabiliteti i Libisë rrezikon Izraelin”.

Lindja e Mesme ka jetuar me dyfytyrësi të papara dhe me parulla patriotike, kurse qëllimi kryesor i çdo regjimi ishte si ta ruante “shtetin-familje” me çdo çmim, madje duke e vrarë tërë atë popull të lodhur nga dhuna shtetërore e varfëria.

Në tërë këtë rrëmujë, dy mbretëri: Maroku dhe Jordania dolën më syçelë. Shpallen reforma të gjithëmbarshme, sepse ato e ndien shumë mirë “pulsin” e popullit. Algjeria po zihet, por diçka po pret.

Po pret edhe Turqia, e cila po e merr primatin në këtë rajon ku tani po krijohen raporte të reja interesi. Iraku po i shëron plagët, kurse Irani po bën hesape më me shumë të panjohura se vitin e kaluar.

Unë po pres të fitojë demokracia në Siri. Të shkoj e t’i takoj miqtë e mi, nëse do të jenë midis të gjallëve dhe të pi një birrë në sheshin përballë hotelit “Semiramis” ku kam fjetur për herë të parë në Damask, ku kam përjetuar çaste të vështira viteve shtatëdhjetë kur regjimi i Damaskut filloi reprezalje të rrepta kundër palestinezëve të Arafatit, duke i varur tre pjesëtarë të “Al Fatahut” gjatë një agu mu përballë “Semiramisit” nga më vonë i përzunë mysafirët, sepse aty u bë qendra e parë e mullave të Iranit pas ardhje së Homeinit, prej kur Sirisë iu shtua edhe një barrë për të shpjeguar para të huajve si “po bashkëjetojnë socializmi sirian dhe ideologjia e mullave”.

Libia dhe e ardhmja e ndërhyrjeve humanitare

 Nga Stewart Patrick (Foreign Affairs)


 

Disfata e Gadafit ishte një triumf për Obamën dhe shënoi një ligj për ndërhyrjen humanitare – që fatkeqësisht zor se ka për t’u përsëritur më. 
Rënia e liderit libanez Gadaf është një triumf domethënës për politikën e jashtme, kryesuar nga presidenti amerikan Barack Obama. Administrata e Obamës arriti synimin për të ndaluar egërsinë e Gadafit dhe për ta shporrur njëherë e mirë nga pushteti. 
E gjitha kjo ndodhi me një kosto modeste financiare, pa trupa amerikane në terren dhe pa asnjë të vrarë amerikan. 
Ndërkaq, disfata totale e Gadafit solli një erë të re në anijen e ndërhyrjeve humanitare. 

 
Duhet të tregohet kujdes, gjithsesi, për të mos marrë leksione nga përvoja e Libisë. Ishte një rast unik dhe zor se ka për t’u përsëritur në histori. 
Libia pati Gadafin, një batakçi që arriti të armiqësonte pothuaj të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë edhe aleatët e mëparshëm arabë dhe afrikanë.  
Koordinimi ishte gjithashtu perfekt. Në një kohë kur Kombet e Bashkuara, Nato dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës debatonin për ndërhyrjen, liderët në Lindjen e Mesme lëkundeshin ende në Pranverën Arabe. 
Të vetëdijshëm për cenueshmërinë e regjimeve të tyre, anëtarët e Ligës Arabe, Organizata e Konferencës Islamike dhe Këshilli i Bashkëpunimit nënshkruan deklaratën e Kombeve të Bashkuara për Libinë, duke përfshirë edhe përdorimin e “të gjitha mjeteve të nevojshme” për të parandaluar barbarizmin në masë.
Veç kësaj, Kina dhe Rusia, dy anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit (UNSC) jo të prirur ndaj ndërhyrjes ushtarake të autorizuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara, nuk kishin interesa mbi Libinë. Kështu që nuk kishin arsye të vinin veton mbi një veprim kolektiv.
Libia e ka demonstruar zbatueshmërinë e ndërhyrjes, por nuk mund të pretendojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj ta zbatojnë atë universalisht. 
Për më tepër, Libia është një vend i vogël, me një popullsi prej 6.4 milionë banorësh.
Kësisoj, logjistika e ndërhyrjes ushtarake ishte premtuar se do të ishte më e zbutur krahasuar me atë të Sudanit, e cila është rreth 50% më e madhe, pothuaj 7 herë më e populluar dhe ka qindra e mijëra ushtarë nën armë. 
Duke qenë se Libia ndodhet afër Europës, NATO dhe BE ishin më të motivuar të siguronin përkrahje politike për misionin, duke qenë se paqëndrueshmëria rajonale dhe një valë refugjatësh do të ndikonin në zgjimin e ndonjë revolucioni.
Rebelët treguan se ishin të aftë ta sfidonin Gadafin dhe makinën e tij ushtarake.
Në Sri Lanka, p.sh. qeveria vrau mijëra qytetarë, ndërkohë që ata asgjësonin forcat rebele më 2009. 
Forcat në Republikën Demokratike të Kongos kanë dhunuar dhjetëra apo qindra e mijëra gra dekadën e kaluar, duke përjetuar një terror të paparë.
Masat e dhunshme të Gadafit në protesta dhe premtimi i tij për të mos patur “as mëshirë, as falje” mbi qytetarët e Bengazit, ishte e dykuptimshme. 
Siç u shpreh edhe Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton në mars “janë të papërmbajtur, Gadafi po bën një barbarizëm të paparë”.
Largimi i Gadafit mund të përligjet, por zbatimi i standardeve në mënyrë të pashmangshme do të mbesë përzgjedhëse dhe një kontingjent i lartë në kontekstin politik. Urgjenca e ndërhyrjes humanitare është një impuls i fortë global sot, por i nënshtrohet gjeopolitikës dhe vullnetit politik. 
Ajo që të habit në rastin e Libisë është se lidershipi i administratës së Obamës në konsolidimin e një standardi global është një kontrast i ngurtë në qëndrimin e vakët të administratës së Bushit. 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i vetmi vend me forcën dhe besueshmërinë e duhur. Që të mos mendohej se Libia ishte një rast i dorës së dytë, më 4 gusht administrata e Obamës shpalli Studimin Tregues Presidencial mbi Barbarizmin në Masë (PSD-10). 
Ky tregues përcakton parandalimin e barbarizmit në masë si “një interes i sigurisë kombëtare dhe si një përgjegjësi morale për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. 
PSD-10 është një dokument që përfaqëson një fitore të madhe për Drejtoreshën e NSS në Libi, Samantha Power, si kreu i administratës në Libi.
PSD-10 njeh një të vërtetë të thjeshtë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës pashmangshmërisht do të përballen me barbarizmin, egërsinë që nuk mund të shpërfillet. Treguesi shpalos listën e alternativave politike të domosdoshme në kësi rastesh.
Ky rang lëvizës është paracaktuar të qarkojë diplomacinë parandaluese, sanksionet ekonomike dhe financiare, embargot e armëve dhe veprimet detyruese. 
Kritikët realistë e kanë vajtuar atë si një projekt i padrejtë ndërhyrjeje në konfliktet e jashtme në një shkallë të lartë Uillsoniane. 
Por një vlerësim i ndershëm i këtij treguesi duhet të informohet nga përvoja e mëparshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me RtoP: në fushat e Kamboxhias dhe në kodrat e përgjakura të Ruandës – kritika realiste duket pa baza.
Në të vërtetë, rreziku më i madh është se me vullnet mund të mblidhet pak pluhur mbi guackë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteti ndërkombëtar i shpërfill viktimat  e barbarizmave. 
Së fundmi, fati i PSD-10 dhe mbase edhe standardi i RtoP do të varen nga qëndrimet e ardhshme të presidentëve amerikanë dhe popullit amerikan. 
A do të kenë ata vullnet t’i përkushtohen pasurisë dhe jetës për t’ia adresuar vuajtjes së të huajve? 
Çështja është pjesërisht morale: Çfarë detyrimesh ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ata që jetojnë jashtë kufijve? Po ashtu është edhe çështje strategjike: si i peshon një politikëbërës dobitë potenciale që vijnë nga një ndërhyrje (në kuptimin e jetëve të shpëtuara) përkundrejt kostos së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (duke përfshirë edhe jetët e ushtarëve të vet).
Nuk gjejmë dot ndonjë përgjigje për këtë problem. Nga fundi i shekullit 19, Bismarck deklaroi se tërësia e ballkanasve nuk kishte vlerë as sa kockat e një “pomeranezi grenadier” të vetëm. 
Një shekull më vonë, NATO ngurroi para se të bënte thirrje për ndërhyrje në Bosnjë e në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën nga Somalia pas vdekjes së 18 policëve ushtarakë amerikanë.
Tani, dy dekada më vonë, asnjë zyrtar i administratës së Obamës dhe asnjë anëtar i Kongresit nuk ka bërë thirrje për ndërhyrje në Somali, për të marrë pjesë në shpërndarjen e ndihmave ushqimore të emergjencës, ndërkohë që vendi përballet me krizën më të keqe të urisë, prej dekadash. 
Al Shabaab, një organizatë terroriste kontrollon pjesën më të madhe të zonave të thata dhe ka bllokuar shpërndarjen e ndihmave që vijnë nga jashtë.
Pa ndihmat, 3.2 milionë somalezë padyshim që do vdisnin. Heshtja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Somalinë është krejt në kontrast me qëndrimin e mbajtur ndaj Libisë. 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbeten përzgjedhëse lidhur me ndërhyrjen humanitare, sepse duhet ekuilibruar synimi për parandalimin e vuajtjes nga interesa të tjera dhe sepse disa konflikte, si Somalia anarkike, janë shumë komplekse dhe mund të imponojnë barra të papranueshme për ndërhyrjet.
Siç është shprehur dhe Obama, ky nuk është shfajësim për të mos vepruar. Edhe pse kriteret nuk janë aspak realiste, politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi ndërhyrjet humanitare duhet të drejtohet nga parime individuale.
Së pari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të kufizohet në ndalimin apo parandalimin e barbarisë skandaloze – situata në të cilat qeveritë apo kryengritësit kanë objektiv një numër të madh civilësh që vuajnë gjenocidin, dhunimin sistematik, vrasjet në masë, dënimet apo krime të tjera kundër njerëzimit. 
Arsyet e këtij kufizimi janë të logjikshme. 
Sovraniteti mbetet forca më stabilizuese në botë – një hendek ky për anarkinë globale. 
Veç kësaj, kapacitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të përcaktuara. Pa disiplinë, pasuritë e saj do të fiken. 
Së dyti, ndërhyrja me armë mund të jetë një mundësi e fundit. 
Misioni duhet të ndërmarrë masa të pjesshme për konfliktin dhe duhet të lidhet me një strategji politike afatgjatë për t’iu drejtuar rasteve të dhunës.
Së treti, ndërhyrjet multilaterale janë të preferueshme për ndërhyrjet unilaterale. Ata ofrojnë edhe legjitimitet në rritje.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndërmarrin ndërhyrje humanitare me armë, vetëm nëse liderët e tij angazhohen në formacionet luftarake.
Kur bëhej fjalë për ndërhyrjen në Libi, administrata e Obamës kontrolloi të gjitha mundësitë; i zhvendosi forcat ushtarake, pasi me mjetet e tjera pësuan sfidë; projektoi një strategji ushtarake me mundësi të mirë për sukses, duke vënë në përdorim mjetet proporcionale; krijoi një koalicion të jashtëm të legjitimuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Gjithsesi, Obama shfaqi kurajën politike për të bërë atë që ishte e drejtë.
Komunitetit ndërkombëtar do t’i duhet të kultivojë dhe të ngrejë të tjera alternativa politike përkundrejt ndërhyrjes së armatosur, kështu që nuk ka për t’u përballur me një zgjedhje veprimi ushtarak ose me mosveprim. PSD-10 është një hap i mirë në këtë drejtim.
Përktheu: Rudina Dahri

 

http://widgets.causes.com/badges/cause?cause_id=631921&width=600&height=210&tagline=Support+Our+Cause&faces=1&awareness=0

Arsyet e forcës në Libi

Nga Bernard-Henri Levy (Le Point)


 

Sa shumë që kemi dëgjuar! Lufta kishte ngecur. Rebelët nuk ishin të organizuar. Ata ishin të padisiplinuar, jo të besueshëm. Këshilli kombëtar i tranzicionit ishte i ndarë, i përçarë në fraksione rivale, i shkatërruar nga brenda për shkak të grindjeve fisnore. Fiset besnike të Gedafit, në fortesat e tyre në Tripoli, sigurisht që do të pengonin një rezistencë të gjatë e të ashpër. Përsa i përket Nikolas Sarkozisë, kishte nisur një aventurë të dyshimtë, jo të planifikuar, në të cilën vetëm aleatët e tij politikë ishin të gatshëm ta ndiqnin.

Libya

 
Akoma dhe një herë, e vërteta është se kemi asistuar në kundërshtimin e dy fraksioneve të mëdha, të vjetër sa vetë politika. Nga njëra anë familja e përjetshme – jo aq shumë ajo e armiqve të popullit ose e miqve të despotëve, por e atyre që u mahnitën nga Pushteti dhe u verbuan nga Tirania; po, familja e përjetshme e atyre që nuk mund të imagjinojnë sesi një regjim totalitarist mund të jetë i përkohshëm, kalimtar siç janë të gjitha sistemet humane, në mos më shumë.
Nga ana tjetër, vendosja e madhe e atyre, për të cilët kjo ndjenjë e çuditshme, kjo paralizë e shpirtit e imponuar nga Shtrigani ose nga Përbindëshi i Ftohtë, nuk e kishte errësuar aftësinë e gjykimit; atyre që janë të aftë të krijojnë idenë se diktaturat mbahen në këmbë vetëm në sajë të frikës që rrënjosin në popullin e tyre dhe të shqetësimit që rrënjosin në pjesën tjetër të botës; dhe sapo një reputacion dhe shqetësim i tillë pakësohet si me magji, diktaturat shemben si kështjella prej rëre, ose transformohen thjesht në “tigra prej letre”.
Kur të vijë koha, do të tregoj me detaje për atë që pashë në Libi dhe gjetkë, për këto 6 muaj që me siguri kanë ndryshuar një herë e mirë natyrën e këtij fillim shekulli. Tani për tani, në çdo rast, dua t’i bëj homazhe të gjithë atyre që në atë vend, ashtu si në tonin, nuk kanë shpëtuar nga ky bast mbi lirinë e thjeshtë të qenieve njerëzore. Kërkoj drejtësi për ata luftëtarë libianë, që më shumë se një person ka guxuar t’i quajë frikacakë që arratisen në prani të milicisë të një personazhi djallëzor, por që unë kam pasur privilegjin t’i ndjek në frontet e Bregës, Ajdabiyas dhe Misratës dhe që më shumë se një herë kanë treguar atë forcë të pamposhtur që gjatë jetës sime, kam gjetur gjithnjë në ato që e bëjnë luftën pa e dashur atë.
Unë dua të njoh të gjithë seriozitetin që ka treguar Cnt, të cilin e kam parë të lindë e të piqet dhe që – i përbërë nga burra e gra të origjinave të ndryshme, gjithnjë demokratikë ose të arratisur nga Gedafi, në mërgim prej shumë kohësh ose kundërshtarë të brendshëm – nuk kishte ndonjë përvojë në lidhje me demokracinë ose me strategjitë ushtarake dhe me gjithë këtë ka ditur të shtojë një faqe thelbësore në historinë botërore të lëvizjeve të rezistencës. Dua të lartësoj ata pilotë europian dhe sidomos ata francezë, që luftuan një luftë jo të tyren, misioni i së cilës ishte të ndihmonin popullatën civile, që ranë në duart e rrufeve të vëzhguesve të padurueshëm që në 42 vitet e gjata të kësaj diktature nuk janë ankuar kurrë për pritjen e gjatë dhe që më pas, vetëm pas 100 ditë luftimesh e gjykuan të pafundme. Ata pilotë që kanë rrezikuar jetën e tyre në mënyrë që të mos rrezikonin të godisnin ndonjë objekt civil. 
E drejta e ndërhyrjes – Përsa i përket Nikolas Sarkozisë, në fund të fundit, nuk është e mundur të mos pozicionohesh në anën e tij dhe pse është e mundur të kundërshtosh dhe ky është rasti im, për pjesën tjetër të linjës së tij politike. Si nuk mund të njohim që ishte Franca ajo që mori iniciativën në ndjekjen e kësaj lindjeje të Libisë së lirë? Si mund të mos duartrokasim këmbënguljen e atyre që dhanë provat në të gjitha fazat e kësaj lufte? Si mund të mos njohim që ai bëri për Libinë atë që François Miterrand refuzoi të bënte për Bosnjën?
Rebelët, të ndihmuar nga Franca dhe nga aleatët e tjerë, kanë shkruar një faqe të re në historinë e vendit të tyre. Kanë inauguruar një epokë që do të ketë pasoja në të gjithë rajonin, veçanërisht në Siri. Do të mbetet në kronikë edhe kjo luftë kaq në antitezë me konfliktin irakian, kjo ndërhyrje ushtarake që nuk e ka hedhur me parashutë demokracinë mbi kryet e një populli të nënshtruar e të heshtur, por tek një popull që e mbështeti kryengritjen dhe e mbrojti atë demokraci dhe që, për këtë motiv, ishte pajisur me një organ përfaqësues legjitim dhe pse të përkohshëm.
Diçka vdes: konceptimi tradicional i sovranitetit, ku të gjitha krimet lejohen, me kusht që të ndodhin brenda kufijve të një shteti. 
Diçka lind: ideja e universalitetit të të drejtave, që nuk është më vetëm një dëshirë, por një detyrim për të gjithë ato që besojnë seriozisht në unitetin e njerëzimit dhe në virtytin e të drejtës së ndërhyrjes, që është konkluzioni. Natyrisht, do të vijë edhe koha e pyetjeve, e dyshimeve, e hapave falsë. Tani për tani vetëm mendjet mediokre mund të dëmtojnë gëzimin e pastër që një ngjarje e jashtëzakonshme mund të bëjë nga çdo këndvështrim. Përgatiti: L. Lita

Një “erë” e re në politikën e jashtme të SHBA

Fareed Zakaria, CNN

Fareed_zakaria

Në mars, shumë neokonservatorë në Uashington ishin kritikues në lidhje me mënyrën me të cilën po e përballonte Presidenti Obama situatën dhe ndërhyrjen në Libi. Ata argumentonin se po bënte shumë pak dhe po vepronte shumë vonë-qasja e tij ishte më e shumanshme sesa duhej dhe njëkohësisht mungonte kohezioni. Ata vazhdimisht e kritikuan Presidentin Obama për “udhëheqjen nga prapa”, në qoftë se do të përdorim fjalët e një këshilltari anonim të Shtëpisë së Bardhë.
Por tani që këta kritikë përballen me suksesin e operacionit në Libi, ata po “ndryshojnë melodi” dhe po “kërkojnë atësinë” e operacionit. Madje argumentojnë se nëse këshilla e tyre do ishte ndjekur pikë për pikë, ndërhyrja në Libi do kishte sjellë efekte më të shpejta dhe më të suksesshme. Por ndërhyrja në Libi ishte ekzaktësisht kaq e saktë,  pikërisht prej faktit se nuk ndoqi modelin e zakonshëm dhe tradicional të ndërhyrjeve amerikane. Në të vërtetë shënon lancimin e një “ere” të re në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara vendosën të ndërhynin në Libi vetëm nëse do të ishin pjekur disa kushte:
1)Një grup lokal që dëshironte të luftonte dhe të vdiste për ndryshimet; me fjalë të tjera, një “kapacitet indigjen”
2)Njohja e legjitimitetit lokal si formë e kërkesës për ndërhyrje nga ana e Lidhjes Arabe
3)Legjitimitet ndërkombëtare bazuar mbi Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1973
4)Ndarje e shëndetshme barre me Anglinë dhe me Francën, duke saktësuar nivelin e përfshirjes dhe detajimin e angazhimit që do të ofronin
Vetëm kur të gjitha këto kushte u plotësuan, administrata “Obama” vendosi të luajë një rol kryesor mbështetës në operacionin në Libi
Është e rëndësishme të specifikojmë se megjithëse ishte “një rol mbështetës”, Shtetet e Bashkuara ishin të domosdoshme për mbarëvajtjen e operacionit. Askush tjetër nuk do kishte mundur të eliminonte mbrojtjen ajrore të Gadafit, dhe praktikisht gjithë forcën e tij ajrore, në vetëm tri ditë. Pa Amerikën, operacioni në Libi nuk do të mund të vihej në jetë. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara ishin “mbështetëse” në një sens tjetër; pas një goditjeje fillestare, SHBA kaloi në prapaskenë, duke u  kërkuar partnerëve të NATO-s të bënin punën e rëndë. Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara ndërhynë vetëm kur ndien nevojën e tyre. E gjithë kjo na shfaq një model mjaft të ndryshëm dhe inovativ ndërhyrjeje, të cilin e konsideroj si një përmirësim të theksuar të të vjetrit, model i cili ishte mjaft ekspansiv dhe i kushtueshëm.
Modeli i ri mundëson dy gjëra:
Fillimisht sigurohet se ka aleanca lokale të përkushtuara ndaj të njëjtave qëllime të koalicionit të jashtëm. Në këtë mënyrë, situata paraqitet më legjitime. Dhe nëse ka diçka që na e ka mësuar si Afganistani, si Iraku, është fakti se legjitimiteti lokal është çelësi.
Së dyti, ky model sigurohet për një ndarje të shëndetshme barre, në mënyrë të tillë që Shtetet e Bashkuara të mos ngelen të vetme në zotërimin e vendit, sikurse ka ndodhur shpesh në të shkuarën.
Krahasuar me luftërat në Irak dhe Afganistan, operacioni libian kishte një kosto të ulët. Në tërësi u kushtoi Shteteve të Bashkuara rreth 1 bilion dollarë. Lufta në Irak, së bashku me atë në Afganistan kushtuan së bashku 1.3 trilionë dollarë. Me fjalë të tjera, suksesi në Libi u arrit me më pak se një të dhjetën e shpenzimeve për ndërhyrjet në Irak dhe në Afganistan. Padyshim që ky model nuk është aspak i keq për të ardhmen.
Kjo qasje ka kritikë si nga ana e djathtë, ashtu edhe nga ajo e majtë. Disa nga të majtët, ndërkombëtarët liberalë, u tmerruan nga fakti se njerëzit në Benghazi brohoritën Presidentin Nicolas Sarkozy. Ata mendojnë se vetëm emri i Presidentit Obama duhet të jetë në buzët e libianëve të çliruar. Por në fakt, nuk ka asgjë të keqe, një botë në të cilën edhe europianët lidhen me kauzën e lirisë. Kjo do të thotë se ata janë të gatshëm të marrin përsipër përgjegjësi, si dhe të paguajnë një pjesë të ndërhyrjes. Dhe gjithashtu do të thotë se janë të gatshëm të përfshihen në procesin e vështirë të rindërtimit.
Modeli i vjetër i lidershipit amerikan, në të cilin ne merrnim të gjitha vendimet, merrnim përsipër gjithë barrën, paguanim gjithë operacionin dhe merrnim gjithë brohoritjet, ka ndryshuar. Njerëzit në Uashington duhet të kuptojnë se kur vende të tjera përfshihen, është normale që do të marrin përgëzime për suksesin. Është më e rëndësishme që Libia të shpëtonte, sesa Uashingtoni të shihej si shpëtimtari i vetëm.
Në të ardhmen duhet të ndjekim përsëri një model të tillë të limituar ndërhyrjeje. Shtetet e Bashkuara nuk mund të disponojnë një buxhet të palimituar për ndërhyrje në vende, të cilat, po ta themi shkoqur, nuk kanë rëndësi jetësore për interesat kombëtare. Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates, e tha qartë: Libia nuk është jetësore për interesat kombëtare amerikane. Por pavarësisht kësaj, çështja është se revolucioni libian ishte një ngjarje me rëndësi, në të cilën nëse SHBA mund të ishte e dobishme, do të kishte përfitime të mëdha për Libinë dhe për vetë Amerikën.
Pyetja përpara Libisë ishte: A mund të vëmë në jetë ndërhyrje të suksesshme, por duke mbajtur nën kontroll, si kostot financiare edhe ato humane?
Sot, përgjigjja është po.

Lufta diplomatike për Shën Naumin

Nga Vaso Samsuri

 

Më 1 gusht 1925 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërgonin telegram Shkëlqesisë Kryetarit Zog, ku shprehej hidhërim i madh kur kishin mësuar se Shën Naumi u jepej serbëve. Ahmet Zogu u përgjigjej: “Veprojmë me sentimentin më të thellë si me dhimbje shpirti shqiptar. Nevojat ndërkombëtare na shtytën në një transaksion me shtetin fqinj. Në dhomën e deputetëve u diskutuan, por për ne interesi shtetëror, shkon përpara popullaritetit personal. Pranojmë këshillat mjekësore por nuk i trembemi demagogjisë”  

Shennaum

Drini buron edhe nga Shën Naumi. Gjatë 25 vjetëve Lasgush Poradeci vazhdimisht më tregonte se si i linte me testament Shqipërisë trojet e mbetura jashtë kufijve të atdheut. Drini i Zi rrjedh jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë, por sipas poetit ai vazhdon rrjedhën mes përmes nëpër Shqipëri. Drini plak e i përrallshëm. Eqrem Çabej shtronte pyetjen: Shqipëria e sotme është rezultat  ekspansioni apo restriksioni. Poetikisht Ismail Kadare është shprehur kundër kohërave që si qentë të kafshuan ku mundën të të hanë. Në harta të moçme te kohës së katër vilajeteve me 115 mijë km katrorë, tre liqenet, ai i Ohrit dhe i dy Prespave janë pa kufij. Sot në fotot satelitore natyrisht këto janë pa kufij. Shtysë për të shkruar për Shën Naumin ka qenë edhe emri i priftit patriot Dhimitër Misha. Pse shkruante me shkronja shqip në faltoren e Ajazmës, Shën Naum, dhe fshinte Svjeti Naum u vra nga serbët. Në vitet e mbretërisë Odise Paskali i kushtoi një bazoreliev që u vendos në një lapidar në Pogradec. Aty nga viti 1947 në një mesnatë me shi, me urdhër të Koçi Xoxes, u thye kjo përkujtimore se “prishte” miqësinë midis shteteve. Para prishjes me Jugosllavinë, mbretit Zog nuk i kujtohej dhurimi i Shën Naumit. Pas 1948 është kujtuar vazhdimisht. Në këto vite dy prozhektorë të fuqishëm dhe të frikshëm ndizeshin në mbrëmje për të ruajtur ujërat e liqenit. Kur Enver Hoxha në një libër të tij shante Mbretin Zog, mbretërorët që jetonin në demokracitë e mëdha i kujtonin atij masakrën e Tivarit dhe heshtjen për Kosovën. Duke shfletuar qindra dokumente në Arkivin Shtetëror të Shtetit jam befasuar nga lufta e gjerë në plan diplomatik dhe publicistik për Shën Naumin. Mbasi Ahmet Zogu ish dekoruar prej Republikës Franceze, ai merrte dhe dekoratën e mbretit të Jugosllavisë “Grand Kordonin e Karagjeorgjeviçëve”. Dy dekada më vonë edhe Jugosllavia Federative e Josip Broz Titos do të dekoronte Enverin me titullin e lartë “Hero i popujve të Jugosllavisë” në situatën kur Shqipëria do të bëhej Republika e shtatë e federatës jugosllave. Për hir të së vërtetës po nënvizoj edhe një shkrepëtimë interesante të stalinistit shqiptar në librin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. V.Tempo qe shprehur se nocioni Shqipëri e Madhe është i dëmshëm dhe pa kuptim. Në përgjigje E. Hoxha nënvizonte se vërtet nuk ka Shqipëri të Madhe dhe kjo ishte një parullë shoviniste, por ama nuk kishte as Shqipëri të vogël, sipas tij kishte vetëm Shqipëri. 10 vjet më parë pata rastin ta shoh i mrekulluar me një ekspresion poetiko-mitologjik mes pallonjve krahëhapur me ngjyra ylberiane në Shën Naum, Ismail Kadarenë. Ai tha: “ky është Ballkoni i Ballkanit”. Kur është folur për lëshimin e këtij Manastiri është nënkuptuar vazhdimisht sikur kemi humbur një ndërtesë ose katër qoshe muresh. Janë humbur njëkohësisht dhjetëra km2 sipërfaqe ujore. Kështu Shën Naumi mbetet një simbol ngacmues estetik dhe politik që përfaqëson të gjitha territoret e mbetura jashtë Shqipërisë administrative të Ismail Qemalit.

Ç’thotë Londra për Shën Naumin?

Ishin vendimet e marra nga Konferenca e Londrës për kufijtë e Shqipërisë me 1913, por për shkak të interpretimit të asaj pjese të protokollit ku pretendohej se nuk përcaktohej se cilit shtet do t’i mbetej Manastiri ishin ato qe linden keqkuptimet. Shprehja prej katundit Lin deri në Shën Naum ishte e paqartë dhe nuk linte të kuptohej se kujt i takonte ky vend i shenjtë. Komisioni ndërkombëtar i kufijve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë serbe erdhi në tetor të vitit 1913 dhe veproi prej fshatit Lin deri ne malin e Korabit. Lufta botërore e detyroi komisionin të largohet nga Shqipëria dhe mësohet se në sektorin e Shën Naumit komisioni nuk pati rast të punonte. Sipas disa analogjive me kufirin grek në Ftelja, logjika thoshte që do të ishte pjesë përbërëse e Shqipërisë. Edhe Konferenca e Paqes e Parisit me 1921 e cila rikonfirmoi jo gjë tjetër por atë të vitit 1913, këtë problem e la në mëdyshje. Kjo qe arsyeja që anëtarët e Komisionit të kufijve e parashtruan këtë çështje në Konferencën e Ambasadorëve më 06.10 1922. Në këtë konferencë u vendos që Shën Naumi t’i mbetej Shqipërisë. Pas këtij vendimi, me shumë vonesë në kohë, qeveria jugosllave protestoi, duke kërkuar anulimin e këtij vendimi. Konferenca iu drejtua Këshillit të Lidhjeve të Kombeve për të ditur nëse fuqitë aleate kryesore e kishin plotësuar misionin që i pati ngarkuar Asambleja e Lidhjes së Kombeve më 2.10 1921, lidhur me pikën e paqartë të kufirit. Meqenëse çështja kishte karakter juridik, Këshilli i Lidhjes së Kombeve iu drejtua për mendim konsultativ Gjyqit Ndërkombëtar të Hagës. Ky Gjyq duke marrë parasysh se ashtu siç ishte hartuar ne tekstin e vitit 1913, nuk tregohej në mënyrë të saktë se ku do të kalonte vija e kufirit në Shën Naum, gjykoi se çështja do të zgjidhej simbas vendimit të datës 6.10 1922. Në prag të vendimit të vitit 1922 ishte pikërisht Jugosllavia ajo që i kërkonte Shqipërisë të parapëlqente vendimin e ardhshëm. Shqipëria ishte e bindur për këtë, por kur vendimi që u mor nuk i pëlqeu Jugosllavisë, ajo nisi protestën. Gjyqi shprehu mendimin se me vendimin e vitit 1922 Fuqitë Aleate kryesore e kishin përfunduar misionin e tyre. Më 1924 Konferenca i njohu Shqipërisë posedimin e Manastirit të Shën Naumit, por njëherazi i njohu Jugosllavisë një pjesë të gjerë të rretheve të Manastirit – Trebeshicën, Lubanishtin deri në 750 metra para portës së Manastirit, e më pas kufiri ngjitej në mal të Galicishtës. Rrjedhimi ishte që sipërfaqja e liqenit të Ohrit të ndahej mes dy shteteve, por duke u spostuar kufiri në drejtim të Shën Naumit që i mbetej shtetit shqiptar, sipërfaqja më e madhe ujore i mbetej shtetit fqinj. 

Disa hollësi të Gjyqit të Hagës

Kryetari i gjykatës, pasi përmend se qysh më 19 qershor 1924 çështja e Shën-Naumit i ishte paraqitur asaj për t’i dhënë një mendim konsultativ, bënte të ditur se palët e interesuara kishin paraqitur dokumentet e tyre dhe kishin caktuar dokumentacionet për t’i paraqitur pikëpamjet përpara Gjykatës. Në përfaqësimin shqiptar ishte edhe Gilbert Gidel, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare. Vendi ynë qëndronte në pikëpamjen që Gjykata duhej të pohojë se vendimi i konferencës së 6 Dhjetorit 1922 e ka përfunduar misionin e përcaktuar nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve. Konferenca e Ambasadorëve e ka vendosur intravires brenda kufijve të kompetencave të cilat janë njohur dhe janë pranuar shprehimisht nga palët e interesuara. Duhet thënë se më 17 dhjetor të vitit 1920 Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve pa asnjë kundërshtim dhe pa u vënë në diskutim çështja e kufijve të saj . Asokohe nuk pati reagim nga fqinjët e Shqipërisë. E drejta që u ishte njohur fuqive kryesore në Rezolutën e 2 tetorit të vitit 1921 nuk ishte që të caktonin në një moment të tillë kufijtë e Shqipërisë dhe pastaj t’i ndryshonin këta kufij në një moment tjetër. Pala serbo-kroato-sllovene, dhe ajo greke, kishte këto objeksione; 1- Në bisedime të Fuqive nuk kishte marrë pjesë SHBA-ja; 2- Kufijtë e një shteti nuk mund të caktohen pa pjesëmarrjen e shteteve të interesuara. Por dihej botërisht se fqinjët tanë kishin pranuar zyrtarisht vendimin e datës 9.12.1921, d.m.th. Detyrën që iu besua Konferencës së Ambasadorëve nga Asambleja e Lidhjes së Kombeve. N.Pashiçi, kryeministri i këtij shteti, kishte deklaruar zyrtarisht që qeveria mbretërore do të konfirmonte Vendimin e Ambasadorëve, megjithatë Pashiqi vinte në dukje se vendimi i datës 9.11.1921 nuk e përcaktonte plotësisht kufirin. Pavarësisht nga kjo deklaratë e kryeministrit, qeveria mbretërore serbo-kroato-sllovene kishte pranuar kufijtë dhe kishte deklaruar se do të tërhiqte trupat nga territori shqiptar, duke bërë ç’ishte e mundur që të kishin marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Gjithsesi, më 6/4/1923 qeveria serbe, kërkoi rishikimin e vendimit të datës 6/12/1922. Argumentet mbi komunikacionin ishin në favor të tezës shqiptare sepse Shën Naumi ishte më afër Pogradecit dhe më larg Ohrit. Argumenti tjetër serb fliste për faktin se tokat e pushtuara nga Austria më 1915 kanë qenë jashtë kufijve të përcaktuar për Shqipërinë, pra sipas tyre, meqenëse Shën Naumi u pushtua nga austriakët kjo provonte, sipas tyre se nuk bënte pjesë në territorin shqiptar. Ky argument ishte pa baza, pasi edhe qyteti i Shkodrës e veriu i Shqipërisë u pushtua prej austriakëve në vitet 1915-1916, por ishin territor shqiptar. Një tjetër hollësi që përbën vlerë, ishte fakti se meqenëse Manastiri nuk kishte një element topografik, një ndarje sikundër të ishte një lumë ose një kreshtë territori deri në Shën Naum, nënkuptonte qenien në Shqipëri. Kështu që serbët ngulnin këmbën vetëm në argumentin e pushtimit të tij nga austriakët. Serbëve iu kërkua që të tërhiqnin forcat dhe elementet e armatosur nga kjo zonë, por ata nuk e përfillën vendimin e Konferencës. Pala shqiptare theksonte se nga prishja e kontratës shtetet e interesuara do të ishin të lira të vetëvepronin dhe Shqipëria me të drejtë do të ngrinte çështjen e copëtimit të territorit të saj, i cili përfshinte brenda kufijve të tij të njohur 1 milion banorë, duke lënë jashtë territorit të tij 1.8 milionë banorë. Jehona e vendimit të Gjykatës së Hagës ishte e madhe. Shtypi jugosllav ishte i egërsuar dhe e deformonte çështjen, ndërsa qeveria do të nxirrte pengesa për dorëzimin e Shën Naumit e do të bënte çmos të zgjaste pushtimin e tij me shpresë se mund të bëhej ndonjë ndryshim politik i cili të krijonte kushte të favorshme për të ndryshuar vendimin e Konferencës së Ambasadorëve. Madje aty do të ngrihej dhe çështja e shërbimit fetar. Fqinjët pretendonin për një formë trepalëshe serbo-shqiptare në shërbesat fetare. Më 11 janar të vitit 1925, Ministria e Jashtme udhëzonte përfaqësuesin shqiptar Mehdi Frashëri për dialogun shqiptaro-serb. Edhe legatat shqiptare në Europë kishin komunikime të dendura me MJ Shqiptare, ku citohej shtypi kryesor europian, opinione, e manovrime dhe ku ndihej një optimizëm për lirimin e Shën Naumit, por qëndrimi i fqinjëve dhe këmbëngulja e tyre për të marrë manastirin ishte shumë e madhe. Ky problem i ndërkombëtarizuar tashmë po shndërrohej në një problem bilateral. Diplomatët shqiptarë orientonin shefat e tyre që diçka e tillë do të ishte shumë e dëmshme, sepse nesër nuk do të kishin mundësi apo të drejtë t’u drejtoheshin fuqive kryesore. Ministri fuqiplotë në Paris, Dhimitër Berati, më 5 shtator të vitit 1925 citonte edhe z.Justin Godart, mik i Shqipërisë që aprovonte mendimin se Tirana nuk duhej të hynte në marrëdhënie direkte me Jugosllavinë. Përfaqësuesit e Francës, Anglisë dhe Italisë nuk e aprovonin mendimin e qeverisë shqiptare. Francezët na këshillonin se s’bënim mirë që nuk merreshim vesh me Jugosllavinë për çështjen e kufijve. Këtu nënkuptohet që përkrahja që u jepej serbëve ishte e fuqishme dhe Shqipëria nuk do të rezistonte. Kryetari i Shtatmadhorisë së ushtrisë shqiptare kolonel Mirdashi, kur kuptoi që kufiri do të lëvizte në dëm të Shqipërisë, shprehej me pikëllim se ky cedim do të hidhëronte njerëzit. Shën Naumi nuk ishte thjesht një qendër e fesë ortodokse, me lidhje të vjetra me qarkun e Korçës dhe në veçanti me Voskopojën e njohur, në shtypshkronjën e të cilës dy shekuj më parë ishin shtypur liturgjitë e Shën Naumit, por ky objekt ishte qendër pelegrinazhi edhe për shqiptarët myslimanë. Kaq intensitet arritën demarshet jugosllave me shtyp dhe me luftë diplomatike, gjer edhe në pandehjen se do të dilte nga Lidhja e Kombeve.

Shtypi i kohës dhe deklaratat e Fan Nolit e të Faik Konicës

Gazeta “Politika” kish botuar lajmin se Jugosllavia do të tërhiqej nga Lidhja e Kombeve për shkak të mosmarrëveshjes rreth Shën – Naumit. Por gazeta tjetër “Pravda”, pas këtij lajmi shkruante se ai ishte një lajm krejt pa baza që nuk i përgjigjej së vërtetës. Mesa duket politikanët serbë mjaftoheshin edhe vetëm me hedhjen e idesë për një protestë flagrante botërore. Gazeta “Politika” botonte intervistën e F.S. Nolit dhënë korrespondentit të saj më 6 Shtator 1924. Korrespondenti serb, Andrea Milosavleviç pasi shprehte habinë e madhe që për shkak të kulturës së gjerë dhe inteligjencës së Nolit fitonte tepër vendi i tij, Shqipëria, dhe shfaqte njëfarë xhelozie që pati dëgjuar se në hollin e hotelit “Rusia” personalitete diplomatike prisnin rastin për ta takuar Nolin, për një audiencë, me hirësinë e tij. Edhe gjenerali anglez në asamble priste në atë holl. Korrespondenti hidhte mendimin se Shqipëria punonte për shtetet e tjera. Ngrihej pandehja se Shqipëria ishte një Turqi e vogël në Ballkan. Noli me mprehtësinë karakteristike dallonte se tjetër është “nocioni popullsi myslimane” dhe tjetër është “shtet mysliman” në buzë të Adriatikut. Fetë nuk kishin rëndësi për ne. “A ka fakt më të fortë, që, unë kryeministri i këtij vendi, jam jo vetëm një i krishterë, por edhe një peshkop ortodoks?” – pyeste retorikisht F.S.Noli. Për Shën-Naumin ai u drejtohej serbëve: “Për Shën -Naumin ju bëhuni më xhymertë e zemërgjerë se ne nuk e bëjmë dot, Shqipëria s’mund të ketë qëllime agresive kundër fqinjëve, është e vogël tepër, moralisht e materialisht e çarmatosur. Asaj (Shqipërisë) i duhet vetëm qetësia. Në fondin e telegrameve të përfshira në dosjet me materialet mbi kufirin e në veçanti për Shën – Naumin dhe Vermoshin, në fondet e Arkivit Qendror të Shtetit gjen edhe telegramin e 6 shtatorit të vitit 1924, ku Fan Noli, nga Gjeneva i drejtohej Ministrisë së Jashtme në Tiranë, e ku thuhej se Gjykata e Hagës, kishte dhënë mendimin se me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të 6 dhjetorit 1922, Fuqitë kryesore aleate kishin përfunduar çështjen e kufirit midis Shqipërisë e Jugosllavisë në manastirin e Shën – Naumit, që lidhet me Rezolutën e asamblesë së Lidhjes së Kombeve të vitit 1921 .Kryeministri përfundonte: SHEN – NAUMI I MBETET SHQIPERISE. Më 17 shkurt 1925 Konsulli i përgjithshëm në Rumani informonte Ministrinë e Jashtme, për alarmin që ndjenin patriotët shqiptarë për cedimin e kufirit. Elementë të kolonisë në Rumani kërkonin të protestonin para Lidhjes së Kombeve, ndërsa nga Amerika, Faik Konica lëshimin e Shën Naumit e quante mendim tradhtie. Legata shqiptare e Athinës informonte ministrin e Jashtëm se opozita greke zhurmonte për paaftësinë e diplomacisë greke duke i kundërvënë asaj sukseset e diplomacisë serbe. Kur serbët po i merrnin toka Shqipërisë, përse ata i kishin lëshuar 14 katundet e përfolura. Në gazetën “Elefteria” në Larisa shkruhej me ironi se shkëlqesitë e Parisit, d.m.th. Ambasadorët, nuk mund të ishin më shqiptarë se shqiptarët. Më 2 shtator 1925 në gazetën “Vradhimi” kishte një ankim keq-ardhës që ndërsa serbet dinë të marrin, grekët, gjoja, dinë të japin. Në një komunikim Beograd-Tiranë, më 10 mars 1925, major Xhavit Leskoviku rekomandonte që të mos vihej në tryezë bisedimesh një çështje internacionale e përfunduar. Më 28 mars 1925 titullari Pekmezi njoftonte Myfit Libohovën se kundërshtarët e qeverisë ishin shumë të ndjeshëm për lëvizjet e fundit diplomatike. Duke cituar shtypin e Beogradit ai thoshte se ka një furi egoiste për Shën Naumin. E gjithë kjo klimë do të realizonte një mbledhje të të dy dhomave legjislative për njw vendim kolegjial lidhur me çështjen e kufirit në Shën Naum. Aty justifikohej se qeveria jugosllave qe e papërballueshme në këmbënguljen për Manastirin e famshëm i cili, siç thonin, kishte për ta rëndësi fetare, morale dhe prestigj kombëtar. Shumë gjëra mbeten të nënkuptuara, por ajo që është irrituese ishin një numër gjoja argumentesh për lëshimin e Shën Naumit”.  

Mbledhja sekrete e dy dhomave legjislative, 16 korrik 1925

Kishte ardhur çasti kur nga Ministri i Jashtëm do të bëhej ekspozeja për situatën: Kufiri midis Republikës Shqiptare dhe Mbretërisë Jugosllave ishte caktuar 750m tutje portës së Shën Naumit, pra jo deri në Trepezicë. Sidoqoftë, manastiri përfshihej brenda kufirit shqiptar. Ngrihej një shqetësim nga “përfaqësuesit e popullit” se do të rrezikohej jeta e priftërinjve në manastir. Në “dirigjimin” e çështjeve, qeveria jugosllave i jepte manastirit të famshëm rëndësi fetare, morale dhe të prestigjit kombëtar, prandaj propozonte që deri tek kodra me kuotën 961 t’i jepej Jugosllavisë. Kjo për kompensim do të lëshonte tokë në territorin e Katundit të Peshkëpisë e cila si sipërfaqe do të ishte më e madhe. Çështja paraqitej sikur do të dilnim ne shqiptarët më të përfituar. Argumentimet për lëshimin e Shën Naumit tingëllonin naive dhe jashtë çdo logjike: 1- Duke qenë se aty nuk ka banues. 2- Duke qenë se këto vise të kontestueme qysh prej luftës ballkanike ishin 12 vjet nën okupacion jugosllav; (edhe Ballkani ish nën Turqinë disa shekuj por lirinë e fitoi). 3- Duke qenë se zbrazja e këtyre viseve tek qeveria shqiptare pas situatës diplomatike të Ballkanit dukej e largët. 4- Duke qenë se vazhdimi i mos përfundimit të kufijve krijon një situatë të ligë morale e materiale (shpenzime etj). 5- Duke na i vonuar marrëveshjet ekonomike aq të domosdoshme, sidomos rregullimin e ujërave në gjithë zonën e Shkodrës. 6- Duke parë rekomandimin e Fuqive të Mëdha në bazë të kompensacioneve. 7- Duke marrë parasysh se në historinë e shumë shteteve ka pasur lëshime – si Savoja, djepi i derës Mbretërore të Italisë, që iu dha Francës nga Italia, si lëshimi i Izolës nga Britania, si lëshimi i Fiumes (Rijekës), prej Jugosllavisë në favor të Italisë etj. Me këto argumente dy komisionet dëshironin autorizimin për veprimin në “dobi” të shtetit shqiptar. Ky koncert parlamentar veçanërisht u duartrokit në Beograd, ku shpërtheu me eufori lavdërimi për triumfin e diplomacisë ngadhnjimtare serbe. Më 1 gusht 1925 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dërgonin telegram Shkëlqesisë Kryetarit Zog, ku shprehej hidhërim i madh kur kishin mësuar se Shën Naumi u jepej serbëve. Ahmet Zogu u përgjigjej: “Veprojmë me sentimentin më të thellë si me dhimbje shpirti shqiptar. Nevojat ndërkombëtare na shtynë në një transaksion me shtetin fqinj. Në dhomën e deputetëve u diskutuan, por për ne interesi shtetëror, shkon përpara popullaritetit personal. Pranojmë këshillat mjekësore por nuk i trembemi demagogjisë. Gazeta italiane “Giornale D’italia” e Barit më 3 gusht botonte protestën e flaktë të Hasan Prishtinës për Shën Naumin, territor shqiptar “monument i rrallë natyral,turistik e kurativ”.

Me Libinë, Europa fiton luftën e parë të saj

“Le Figaro”


 

Suksesi i një lufte nuk mund të gjykohet vetëm nga parametri i objektivave ushtarakë e politikë. Në ngjarjet e implikimet e saj, në tymin e betejës dhe nën gjëmimin e armëve, lufta shërben edhe për të vënë në provë raportet e forcave ndërmjet pushteteve, zbulon pikat e dobëta e të forta të ushtrive, ndikon në marrëdhëniet diplomatike të vendeve pjesëmarrëse. Nga ky këndvështrim, fushata e Libisë ka me të vërtetë shumë për të mësuar.

 

Nato-refueling-libya

Mësimi i parë është se qëllimet më ambicioze të ndërhyrjes ushtarake janë arritur me mjete relativisht modeste, domethënë pa dërgimin e trupave tokësore, me përjashtim të forcave speciale dhe të këshilltarëve ushtarakë. Një burim i NATO-s vuri në dukje se “një operacion ushtarak i kufizuar në dy fronte, në atë detar dhe në atë të aviacionit, mund të ketë një ndikim të mjaftueshëm në ekuilibrin e pushtetit në terren”. Që nga fillimi, ky ishte basti i Nikolas Sarkozisë. “Rezultati i luftës tregon se zgjedhjet ushtarake e diplomatike të Parisit ishin të motivuara. Një fushatë e ngjashme ushtarake, e zhvilluar pa
ndihmën konkrete dhe vendimtare të Shteteve të Bashkuara, duhet të përqendrohej
patjetër tek kohëzgjatja”, komenton Arnaud Danjean, i cili kryeson nën komisionin e Mbrojtjes së Parlamentit europian.
Mësimi i dytë: Në kundërshtim me atë që në fillim shqetësonte Francën, ndërhyrja
e NATO-s – organizatë ushtarake në të cilën Shtetet e Bashkuara luajnë një rol
udhëheqës – u pranua politikisht nga shtetet e rajonit, duke përfshirë –
Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Marokun e Jordaninë – kanë kontribuar në
mënyrë të drejtpërdrejtë.
Në planin diplomatik, ndërhyrja në Libi ka konfirmuar një prirje që nga ana tjetër e Atlantikut është konfirmuar prej disa kohësh: anulimi gradual i interesave amerikanë në Europë. Për të ruajtur ndikimin e tyre në zinxhirin e komandës dhe duke i vënë në dispozicion aleatëve avionët e tyre furnizues, avionët e mjetet e tyre të monitorimit dhe inteligjencës, amerikanët i dhanë fund pjesëmarrjes së tyre bombarduese shumë shpejt. “Shtetet e Bashkuara nuk duan dhe nuk munden më të jenë përgjegjës për të gjitha çështjet e planetit.
Interesat e tyre strategjike tashmë janë drejtuar drejt Lindjes. Kjo tendencë sa vjen e do të përforcohet më shumë. Amerikanët duan partnerë të fortë, të besueshëm, të aftë për të shfaqur rolin e tyre në iniciativat europiane”, vijon Arnaud Danjean. Fushata e Libisë tregoi se Europa , e udhëhequr nga dy vende është e aftë të kryejë një ndërhyrje ushtarake në shkallë të gjerë. Kjo provë tregon se në të ardhmen mund të ketë operacione të tjera të Bashkimit Europian. Franca dhe Britania e Madhe, që një vit më parë unifikuan mbrojtjen e tyre, forcuan aleancën e tyre në qiejt e Libisë, duke konfirmuar kështu se janë
partnerë të shkëlqyer ushtarakë. “Koordinimi i operacioneve me Londrën ishte perfekt, që nga fillimi deri në fund”, konfirmon një përgjegjës i NATO-s. Në çdo rast fushata ka treguar edhe boshllëqet europiane: Bashkimi Europian nuk do t’ia kishte dalë mbanë pa ndihmën amerikane, vetëm nëse do të kishin një qendër të vetën të komandës së operacioneve. Parisi dhe Versaja u përpoqën të ringjallnin idenë e selisë së famshme europiane, por kjo përpjekje dështoi përballë refuzimeve të hapura britanike. E penguar nga ngurrimi i Londrës dhe nga vetoja e Berlinit, Europa e mbrojtjes nuk arriti të ngrihej në qiejt e Libisë.
Nga një pikëpamje strikte ushtarake, fushata ajrore në Libi u karakterizua nga performanca e shkëlqyer e gjuetisë shumë rolesh Rafaele (e ndërtuar nga grupi Dassault, pronar i Le Figaro) dhe të helikopterëve të sulmit. E gjitha pothuajse pa pasoja të pakëndshme, falë “rregullave shumë strikte, në një proces rigoroz të vlefshëm të objektivave dhe të mobilizimit të aftësive të rëndësishme të inteligjencës”, i shpjegojnë NATO-s. Së fundmi, fushata e Libisë ka dhënë mësime të rëndësishme për mbi kapacitetet efektive të ushtrisë franceze dhe ka vënë në evidencë mungesat e avionëve
furnizues, të avionëve e raketave anti radar, të cilat duhet të përmbushen sa më shpejt, për të ndërhyrë një ditë – nëse do të duhet – pa ndihmën e amerikanëve. A do të jetë e nevojshme për të arritur paqen ajo që lufta e Libisë na ka mësuar? Danjean shpreson: “kapacitetet e fituara nga Franca dhe pushtimet gjatë fushatës ajrore, janë një eksperiencë e rëndësishme, një aset që do t’i mundësojë Francës të luajë një rol vendimtar në mënyrë që tranzicioni të ketë sukses”.