Presidenti Donald Trump do të vizitojë Poloninë

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti i Shteteve të Bashkura Donald Trump, do të vizitojë Poloninë, muajin e ardhshëm. Presidenti Trump do ta vizitojë këtë vend para se të arrijë në Gjermani ku do të jetë pjesë e samitit të grupit të G-20.

“Kjo vizitë do të ripohojë angazhimin e palëkundur të Amerikës ndaj një prej aleatëve tanë më të afërt evropianë si dhe thekson prioritetin e administratës për forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s”, ka shtuar Shtëpia e Bardhë përmes njoftimit.

Trump do të mbajë një fjalim gjatë vizitës në Poloni dhe do të marrë pjesë në samitin Iniciativa e Tre Detrave, si një simbol i “lidhjeve të forta të Uashingtonit me Evropën Qendrore”, është shtuar më tutje në njotim.

Udhëheqësit nga disa vende të Evropës Qendrore, Lindore dhe Jugore do të takohen në qytetin Wroclaw në pjesën perëndimore të Polonisë në samitin e njohur si Iniciativa e Tre Detrave më 6-7 korrik.

Samiti i grupi, G-20 do të zhvillohet në Hamburg më 7-8 korrik.

Tillerson: SHBA thirrje Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera për të zbutur bllokadën ndaj Katarit

Kreu i diplomacisë amerikane, Rex Tillerson i bëri sot thirrje Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të Gjirit për të zbutur bllokadën ndaj Katarit, duke konfirmuar se një veprim i tillë po pengonte luftën kundër grupit të Shtetit Islamik në rajon.

“Katari ka bërë progrese për të ndalur tani mbështetjen financiare dhe për spastrimin e terroristëve nga vendi i tij, por duhet bërë më shumë dhe sa më shpejt”, deklaroi sekretari i Shtetit gjatë një interviste të shkurtër.

“Bllokada po pengon aksionin ushtarak të SHBA-së në rajon dhe fushatën kundër ISIS-it, theksoi kreu i diplomacisë amerikane gjatë një deklarate të shkurtër në media.

Këto deklarata kundërshtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë deklaratat e një zyrtari të Pentagonit të bërë në media disa minuta para deklaratës së Rex Tillerson.

Gruaja vetëvrasëse vret mbi 30 njerëz në Irak (VIDEO+FOTO)

Një grua vetëvrasëse vrau së paku 31 njerëz dhe plagosi 35 të tjerë në qytetin Musajab të Irakut.

Gruaja hodhi veten në erë në një treg në qendër të qytetit, i cili ndodhet rreth 80 kilometra në jug të Bagdadit.

Grupi militant Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin.

Shteti Islamik, i cili po humb territor edhe në Irak, edhe në Siri, ka intensifikuar sulmet vetëvrasëse në muajt e fundit.

Dhjetë ditë më parë, grupi ka sulmuar një dyqan akulloresh në Bagdad, duke vrarë së paku 20 veta, kryesisht të rinj dhe fëmijë.

//platform.twitter.com/widgets.js

//platform.twitter.com/widgets.js

//platform.twitter.com/widgets.js

//platform.twitter.com/widgets.js

Një kamion përplas dy agjentë policie dhe një kalimtare në Uashington

Dyshohet për terrorizëm
Një kamion ka shtypur dhe plagosur dy agjentë policile që lëviznin me bicikletë dhe një kalimtare në Uashington, në një rrugë e orar me shumë trafik. Drejtuesi i automjetit, i cili udhëtonte me shpejtësi shumë të lartë u arrestua së bashku me një person tjetër në bord. Të dy personat po merren në pyetje, dhe policia u ka sekuestruar atyre një armë. Kreu i policisë vendore, Piter Njusham, u shpreh se për momentin nuk dihet ende arsyeja e incidentit; por nuk përjashtohet asnjë pistë, as ajo e arrestimit.

Trump: Dëshmia e Comey-it, hakmarrje e vërtetë

Presidenti Donald Trump theu heshtjen në Twitter, pas dëshmisë së djeshme të drejtorit të shkarkuar të FBI-së James Comey, duke deklaruar se ajo ishte një hakmarrje e vërtetë.

Trump, i cili nuk kishte postuar në Twitter, që kur Comey e akuzoi administratën për përhapjen e “gënjeshtrave”, u kundërpërgjigj me një koment herët në mëngjes, ku thoshte “Çudi, Comey paska nxjerrë sekrete”. Sot zoti Trump takohet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis dhe më pas të dy pritet të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në paraqitjen e tij të parë para Kongresit që pas shkarkimit të papritur muajin e kaluar, zoti Comey foli për mungesën e besimit të Presidentit ndaj tij, duke thënë hapur se Presidenti e kishte shkarkuar me synimin për të ndërhyrë në hetimin mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.

Ndërsa Presidenti e karakterizoi dëshminë e zotit Comey si një hakmarrje për shkarkimin e tij, përshtypja e përgjithshme për përgjigjet e tij ndaj pyetjeve të senatorëve nuk ishte se ishin të pavërteta.

Senatorja Susan Collins, një Republikane e moderuar, tha se Kongresi duhet të njihet me regjistrimet e bisedave me ish drejtorin e FBI-së që mund të ketë Presidenti. Ajo tha se zoti Comey është “një njeri i nderuar” dhe në një intervistë ajo u shpreh se ai “Ishte i besueshëm, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë” në dëshminë e tij.

Avokati privat i Trump, Marc Kasowitz, tha se bërja publike nga zoti Comey e bisedave me Presidentin tregon që ish drejtoi i FBI-së ka nxjerrë sekrete, me synimin për të minuar administratën Trump.

Kasparov: Putin – luftë kundër botës së lirë, por po e shijon dështimin

Ish-kampioni bëtoror në shah dhe aktivisti politik opozitar rus, Garry Kasparov, në vitin 2013, ka emigruar nga Rusia në Shtetet e Bashkuara.

Prej atëherë, ai ka vazhduar të jetë kritik i zëshëm i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe në mënyrë të vazhdueshme i ka tërhequr vërejtjen perëndimit se putinizmi paraqet rrezik global.

Në vitin 2015 ai e botoi librin me titullin: “Dimri po vjen: përse Vladimir Putin dhe armiqtë e botës së lirë duhet të ndalen”.

Në intervistën me korrespondentin e Redaksisë për Rusinë të Radios Evropa e Lirë, Mikhail Sokolov, zoti Kasparov është shprehur për raportet e perëndimit me Rusinë prej zgjedhjes së presidentit amerikan, Donald Trump, në nëntor të vitit 2016.

Radio Evropa e Lirë: Shumë gjëra po ndodhin në botë këto ditë, sa që mund të thuhet se është vështirë të vendoset se prej nga të fillojmë. Ndoshta me Rusinë?

Mendoj se ne mund ta llogarisim fitoren e Trumpit në mesin e kompletit të fitoreve të Pirros për regjimin e Putinit.

Garry Kasparov: Mendoj se këto ditë nuk ka kuptim të flitet ndaras për Rusinë, për Shtetet e Bashkuara, për Ukrainën, apo për Evropën. Çdo gjë është e ndërlidhur. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ju ta keni parasysh strategjinë e Putinit – nëse ju mund ta përdorni këtë fjalë për t’i përshkruar taktikat e tij të mbijetimit, në një botë që ndryshon shumë shpejtë. Sido që të jetë, kjo strategji e tij është krejtësisht e mbështetur në një kurs agresiv të politikës së jashtme. Është shumë e qartë se të gjitha zgjedhjet që po ndodhin në vendet perëndimore, në një mënyrë ose tjetër, kanë përfunduar në orbitën e interesave të Putinit.

Ne mund të themi me besim se në disa raste ndikimi i tij ka pasur efekte serioze dhe bile ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.

Por, në javët e fundit, po ashtu, është bërë e qartë se demokracitë perëndimore kanë kutpuar se aksionet e tilla paraqesin kërcënim serioz për funksionimin e institucioneve demokartike në botën e lirë. Putini ka filluar të kundërshtohet për të parën herë dhe, po ashtu, e ka ndjerë dështimin për të parën herë.

Radio Evropa e Lirë: A doni të thoni se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe çdo gjë që ka ndodhur prej atëherë, paraqet fitore për Putinin? Ose a do të vendos udhëheqja e re e Shteteve të Bashkuara se putinizmi paraqet rrezik për botën?

Garry Kasparov: Mendoj se ne mund ta llogarisim fitoren e Trumpit në mesin e kompletit të fitoreve të Pirros për regjimin e Putinit. Duket qartas se fitorja e Trumpit ishte – në shumë aspekte – rezultat i operacioneve aktive të shërbimeve sekrete ruse, operacioneve të hakerizmit, që në ditët finale të garës ndërmjet Trumpit dhe ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ndikuan në sasi të rëndësishme te votuesit amerikanë, të cilët në fund, i zgjodhën republikanët, pasi praktikisht ishin shtyrë larg nga zonja Clinton.

Zgjedhja e tyre nuk ishte ideologjike, por më duket mua, ishte çështje e shijes së formuar nga ndikimi i sulmeve informative dhe them që ishte fitore e Pirros, që ishte menaxhuar në mënyrë të suksesshme nga ata që i kishin nën kontroll sulmet e hakerëve rusë. Unë them, se ishte fitore e Pirros, pasi rezultatet ishin të tilla që Putini dhe Rusia e Putinit, për të parën herë, janë bërë faktorë brenda politikës së brendshme amerikane, që është shumë e pazakonshme.

Por, tash Putin është shndërruar në problem të brendshëm politik për Shtetet e Bashkuara. Programet e lajmeve dhe emisionet e ndryshme janë të dominuara nga kontaktet ndërmjet Trumpit dhe ndihmësve të tij me Rusinë, përfshirë agjencitë e spiunimit të Rusisë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Iran, ceremoni varrimi për viktimat në sulmet ndaj parlamentit

Në kryeqytetin e Iranit në Teheran u organizua një ceremoni varrimi të viktimave që humbën jetën në sulmet e kryera ndaj Parlamentit iranian dhe në tyrben Humejni

TEHERAN (AA) – Në kryeqytetin e Iranit në Teheran u organizua një ceremoni varrimit të viktimave që humbën jetën në sulmet e kryera ndaj Parlamentit iranian dhe në tyrben Humejni, ku morën pjesë qytetarë të shumtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e varrimit u organizua pas namazit të xhumasë e cila u fal në kampusin e Universitetit të Teheranit. Në ceremoni morën pjesë qytetarë të shumtë të Iranit, të cilët i përcollën automjetet me arkivole nga lagjja Inkilab (E revolucionit), përballë universitetit e deri në lagjen Hafiz, ku shpesh hidhnin slogane kundër SHBA-ve dhe Arabisë Saudite.

Ndryshe, si pasojë e sulmit me armë dhe me bombë në Parlamentin e Iranit dhe në tyrben e udhëheqësit revolucionar Ajetullah Humejni në kryeqytetin e Iranit në Teheran më 7 maj, 22 persona humbën jetën ku 5 prej tyre ishin terroristë, kurse 52 të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë e sulmit e mori organizata terroriste DEASH.

Dëshmia e Comey… A mund të hetohet presidenti Trump?

Ish-shefi i FBI-së, James Comey dëshmoi një ditë më parë në Kongres se administrata “Trump” përhapi gënjeshtra dhe e diskreditoi. Comey u tha ligjvënësve se ishte ndierë konfuz nga shpjegimet e ndryshme të dhëna nga ndihmësit e Trump për shkarkimin, e tregoi sesi presidenti priste besnikëri prej tij dhe i kishte kërkuar të hiqte dorë nga hetimi për ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.

Dëshmia e ish-drejtuesit të FBI-së ishte e fortë, por ekspertët janë të ndarë në opinionet e tyre, nëse ajo mjafton për të nisur një proces hetimi të presidentit nga Kongresi. Një sërë vëzhguesish ndajnë bindjen se ky zhvillim e shton barrën e hetimeve shumëfishe mbi qëndrimet gjatë fushatës së Trump.

“Deklarata e besueshme e Comey, – thotë Laurence Tribe, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Harvardit, – forcon bindjen e tij personale se shefi i Shtëpisë së Bardhë është përpjekur të ndikojë, e madje edhe të mbyllë një hetim në zhvillim ndaj shkeljeve të Michael Flynn dhe personave të tjerë të afërt me të”.

Ky, në këndvështrimin e Tribe përbën pengim të drejtësisë.

Ndërsa për Richard Painter, këshilltar etike gjatë administratës “Bush”, dalja në përfundimin nëse Trump e ka kryer apo jo një shkelje të tillë kërkon më shumë prova.

“Pyetja e madhe që shtrohet tani, – thotë Painter, – është nëse ekzistonte një kërcënim për pezullimin e Comey po të mos e bënte atë që i kërkohej”.

Pretendimi i besnikërisë si kusht për punësimin, kërkesa për të rrëzuar hetimin e Flynn dhe fakti që u shkarkua vërtet përbëjnë që të treja një provë të fortë se Trump po i përcillte Comeyt mesazhin e pezullimit nëse nuk hiqte dorë nga hetimi.

Por çështja është nëse ka dëshmitarë të tjerë, të cilët të kenë dëgjuar të dalin nga goja e presidentit fjalët “Do ta pushoj nga puna nëse nuk heq dorë nga rasti”, apo një regjistrim ku të dëgjohet “Do të pezullohesh po nuk u binde”.

“Këto do të ishin prova të padiskutueshme”, shprehet Painter. Për çdo rast, kaq mjafton sipas tij që komitetet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të mbajnë seanca dëgjimore e të thërrasin dëshmitarë.

Kaq e pat edhe stabiliteti! Trumpi nuk e dinte që Lindja e Mesme është kaq e ndërlikuar

nga Fareed Zakaria

Presidenti Trump u kthye nga udhëtimi i tij i parë jashtë vendit, i bindur se kishte bashkuar aleatët historikë arabë të Shteteve të Bashkuara, kish dhënë një goditje të fortë kundër terrorizmit dhe kishte qetësuar ujërat e një Lindjeje të Mesme të padisiplinuar. Që atëherë kemi parë një seri sulmesh terroriste në Evropë dhe Lindjen e Mesme dhe një ndarje të hapur brenda botës arabe. Çfare po ndodh?

Premisa e strategjisë së Trump ishte të mbështeste Arabinë Saudite, duke besuar se do të ishte në gjendje të luftonte terrorizmin dhe të stabilizonte rajonin. Në të vërtetë, Trumpi u dha një dritë jeshile Sauditëve, për të ndjekur politikën e tyre të jashtme, gjithnjë e më agresive e sektare.

Elementi i parë i asaj politike ka qenë përjashtimi i rivalit të saj të vjetër, Katarit, duke ndërprerë marrëdhëniet me atë vend dhe duke u bërë presion aleatëve të vet më të ngushtë, që të bënin të njëjtën gjë. Sauditët gjithmonë e kanë parë Katarin si një fqinj telashendjellës dhe janë të zemëruar nga përpjekjet e tij, për të luajtur një rol rajonal dhe global, duke pritur një bazë ushtarake të madhe amerikane, duke themeluar rrjetin televiziv Al Jazeera, duke planifikuar të organizojë Kupën Botërore të vitit 2022 si dhe duke “goditur” mbi peshën e vet diplomatike.

Është e vërtetë se Katari ka mbështetur disa lëvizje ekstremiste islamike. Po kështu ka bërë edhe Arabia Saudite. Të dy janë vendet vehabiste, të dy kanë brenda tyre predikues ekstremistë dhe të dy, besohet gjerësisht se kanë grupe të armatosura islamike që i mbështesin, në Siri dhe gjetkë. Në të dy rastet, familjet mbretërore luajnë një lojë duke bërë aleanca me forcat fetare fondamentaliste dhe financimin e disa militantëve, edhe ndërkohë që luftojnë kundër grupeve të tjera të dhunshme.

Me fjalë të tjera, dallimet e tyre janë në të vërtetë gjeopolitike, ndonëse shpesh maskohen si ideologjike.

Ndarja e hapur midis dy vendeve do të krijojë paqëndrueshmëri shumë më të madhe në rajon. Katari tani do të zhvendoset më pranë Iranit dhe Turqisë, duke lidhur aleanca më të thella me grupet anti-saudite, në të gjithë botën muslimane. Beteja midis fraksioneve të ndryshme të militantëve – në Siri, Irak, Jemen dhe Afrikëm e Veriut – do të përkeqësohej. Sulmet terroriste në Teheran të mërkurën, për të cilat Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë, janë parë në Iran si pjesë e një fushate të frymëzuar nga sauditët, kundër Iranit. Ne duhet të presim që militantët e mbështetur nga Irani, do të përgjigjen në një farë mënyre. Kaq e pat edhe stabiliteti rajonal.

Dhe Shtetet e Bashkuara janë në mesin e gjithë kësaj, duke ruajtur marrëdhënie të ngushta me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që drejtonin operacionet ushtarake rajonale të SHBA, nga baza e vet në Katar. Trump ka postuar në Tuiter kundër Katarit, por trupat amerikane do të duhet të jetojnë me realitetin, se Katari është mikpritësi i tyre dhe aleati i ngushtë ushtarak, në luftën kundër Shtetit Islamik.

Për një superfuqi si Shtetet e Bashkuara, politika më e mirë në Lindjen e Mesme ka qenë gjithmonë që të ruajë lidhjet me të gjithë aktorët rajonalë. Një nga sukseset e mëdha të politikës së jashtme të Richard Nixonit dhe Henry Kissingerit, ishte se ata qenë në gjendje të joshnin Egjiptin në sferën amerikane, duke ruajtur njëkohësisht një aleancë me shahun e Iranit. Për dekada të tëra, Uashingtoni ishte në gjendje të luante një lojë “bismarkiane”, duke kultivuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, në fakt edhe më të mira se marrëdhëniet që ata kishin me njëri-tjetrin.

Dy ngjarje sizmike ndryshuan peisazhin gjeopolitik të Lindjes së Mesme. I pari ishte Revolucioni iranian i vitit 1979, i cili shfaqi një fuqi radikale revizioniste në rajon dhe më pas nxiti një reagim nga vendet e tjera, përfshirë Arabinë Saudite. Premtimi i Iranit për të përhapur versionin e vet të Islamit, i shtyu sauditët që të rrisin përpjekjet për të përhapur idetë dhe ndikimin e tyre. Rezultatet ishin helmuese për botën muslimane, duke radikalizuar komunitetet kudo.

Tërmeti tjetër ishte pushtimi i Irakut, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, gjë që destabilizoi ekuilibrin e fuqive. Ambicjet e Iranit ishin mbajtur nën kontroll nga Iraku i Saddam Husseinit, i cili kishte luftuar një luftë të përgjakshme tetëvjeçare kundër tij. Me Sadamin e ikur, influenca e Iranit filloi të përhapet në Irak, ku tani është ndikimi më i rëndësishëm i jashtëm ndaj qeverisë së Bagdadit. Aleanca e Iranit me Sirinë u bë jetike për mbijetesën e Presidentit Bashar al-Assad. Marrëdhëniet e tij me komunitetet shiite kudo, nga Jemeni në Bahrein, janë forcuar.

Nëse administrata e Trumpit dëshiron stabilitet në Lindjen e Mesme, ajo duhet të ndihmojë për ndërmjetësimin e një ekuilibri të ri të fuqive. Kjo nuk mund të ndodhë thjesht sipas kushteve saudite. Irani është një lojtar i rëndësishëm në rajon, me ndikim të vërtetë dhe roli i tij duhet të njihet. Sa më gjatë që Uashingtoni të vonojë ta bëjë këtë, aq më shumë do të rritet paqëndrueshmëria. Kjo nuk do t’i bënte asnjë lëshim Teheranit. Ndikimi i Iranit do të kundërshtohet nga Turqia, Arabia Saudite, Egjipti dhe të tjerët. Qëllimi do të ishte një Lindje e Mesme, në të cilën të gjitha fuqitë rajonale ndjeheshin të angazhuara sa duhet, për t’i dhënë fund luftërave të ndërsjella, kryengritjeve dhe terrorizmit, që vazhdojnë të shkaktojnë aq shumë vdekje, shkatërrim dhe mjerim njerëzor.

Kohët e fundit Trumpi zbuloi se kujdesi shëndetësor është gjë shumë e ndërlikuar. Mirësevjen në Lindjen e Mesme. / The ëashington Post – Bota.al

Katari nuk tërhiqet, Bahreini merr të tjera masa, në “lojë” futet Irani e Rusia

Katari zotohet se nuk do të “dorëzojë” politikën e jashtme, ndërkohë që një varg shtetet të rajonit i kanë “mbyllur dyert” duke e akuzuar atë për mbështetje ndaj terrorizmit.

Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman al-Thani tha se dëshiron diplomaci për zgjidhjen e krizës në rritje dhe se nuk do të kishte zgjidhje ushtarake. Ai refuzoi pretendimet se vendi i tij mbështet ekstremizmin.

Arabia Saudite dhe disa vende të tjera të Gjirit ndërprenë lidhjet diplomatike të hënën. Duke ju drejtuar gazetarëve në Doha të enjten, sheiku Mohammed tha se Katari ishte izoluar “sepse ne jemi të suksesshëm dhe progresiv”.

“Ne kemi një platformë për paqen dhe jo terrorizmin. Kjo situatë kërcënon stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha ai, duke shtuar: “ne nuk jemi të gatshëm të dorëzohemi dhe nuk do të jemi kurrë gati të dorëzojmë pavarësinë e politikës sonë të jashtme”.

Ai tha se Irani kishte ofruar përdorimin e tre porteve të tij për të transportuar ushqim dhe ujë në Katar, por tha se oferta ende nuk ishte pranuar.

Katari është shumë i varur nga importet e ushqimit dhe kriza ka çuar në mungesa në treg.

Sheiku Mohammed tha se Katari kurrë më parë nuk kishte përjetuar armiqësi të tillë.

Ndërkohë, kryediplomati i Katarit do të fluturojë drejt Moskës të shtunën për të zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ata do të diskutojnë çështjet “urgjente ndërkombëtare“, raportoi agjencia Tass, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Korrespondenti diplomatik i BBC, James Robbins thotë se ndërhyrja e Rusisë mund të komplikojë përpjekjet ekzistuese për të zbutur situatën.

Ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeir ka thënë se Katari duhet të shkëpusë lidhjet me grupin islamik palestinez Hamas në territoret e okupuara palestineze dhe Vëllazërinë Myslimane në Egjipt, nëse dëshiron të përfundojë izolimin.

Ndërkohë, Bahreini është bashkuar me Emiratet e Bashkuara Arabe duke kërcënuar se do të burgosej çdo kusht që shpreh mbështetje për Katarin.

“Çdo shprehje e simpatisë për qeverinë e Katarit apo kundërshtimi ndaj masave të marra nga qeveria e Bahreinit, qoftë përmes mediave sociale, Twitter apo ndonjë forme tjetër të komunikimit, është një vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burg dhe gjobë”, tha ministria e Brendshme e Bahreinit.